Protestat në Shqipëri e kanë shfazuar Edi Ramën duke nxjerrë në pah botërisht imazhin e tij të vërtetë. I njëjti person që sulmon dhe intimidon gazetarët në Shqipëri, po shfaqet i tillë edhe me gazetarët e medieve ndërkombëtare. Një tjetër rast u shënua gjatë intervistës së Edi Ramës me gazetaren e medies publike gjermane Deutsche Welle, Kate Laycoc.
Kjo e fundit e intervistoi Ramën pasi ai foli në një forum, duke lëshuar broçkullat e tij pa u ndërprerë nga askush. Por gazetarja e nisi intervistën menjëherë me një konstatim të rëndë. Sipas saj, në Shqipëri ka humbur besimi tek ‘arkitektura’ e pushtetit. Ky konstatim është i fortë pasi sinjalizon humbjen e legjitimitetit shoqëror të Edi Ramës.
Një kryeministër që nuk ka legjitimitet elektoral, pasi ka vjedhur zgjedhjet dhe është shpallur zyrtarisht si autokrat elektoral, tashmë nuk e ka as legjitimitetin e shoqërisë shqiptare.
“Ju folët për arkitekturën e pushtetit. Për momentin, në Shqipëri, ka një thyerje besimi tek ajo “arkitekturë”. Demonstruesit po flasin për mungesën e konsultimit dhe mbikëqyrjes demokratike, mungesën e konsultimit me publikun dhe mbikëqyrjen,” tha gazetarja.
Pikërisht pas këtij konstatimi, Edi Rama u çakordua.
Pasi tha se në Shqipëri nuk është thyer besimi, Rama e sulmoi gazetaren duke i thënë se është paragjykuese.
“Tani, ju sillni emra këtu sepse jeni paragjykuese. Nuk jam në gjendje të përgjigjem…” tha Rama.
Kur gazetarja e pyeti nëse privatizimi i hapësirave publike është një çmim që duhet paguar për transformimin e vendit, Rama e ofendoi duke e quajtur gënjeshtare.
“Kjo është një tjetër gënjeshtër që po thuhet shpesh dhe është bërë fakt, të cilin ju tani po e përdorni për të ngritur një pyetje, sepse nuk ka privatizim të hapësirës publike. E thjeshtë! Nuk ka! Është gënjeshtër… Jetojmë në një qytetërim, i cili që nga koha e romakëve ka marrë një vendim shumë të thjeshtë: Kushdo që bën akuza duhet të japë prova. Ju jeni gazetare, apo jo? Dhe jeni këtu për të informuar audiencën tuaj. Dhe pyetja juaj bazohet në një gënjeshtër”, tha Rama i çakorduar.
Kur u pyet se përse ka ndryshuar ligjet për mbrojtjen e mjedisit, Rama mashtroi hapur kur tha se ndryshimet nuk kanë prekur thelbin e ligjit. Madje ai trilloi edhe më shumë kur tha se ndryshimet nuk janë në shkelje të standardeve evropiane, edhe pse Brukseli e ka thënë qartë se ato ndryshime janë kundër kritereve të BE.
Në fund, gazetarja gjermane e kapi gafil Ramën kur i tha se në fillim të protestave kishte deklaruar se e ka menduar dorëheqjen, por tani thotë se kjo gjë nuk është një opsion. Sipas gazetares, këto janë dy versione të kundërta.
“Nuk janë dy versione të kundërta. Unë kam ndarë në grupin parlamentar opinionet e mia dhe kam shprehur një ndjesi lidhur me faktin se unë jam zgjedhur dhe qëndroj në detyrë për t’i bërë gjërat, jo për t’u tërhequr zvarrë. Dhe ndërkohë, dorëheqja nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë opsion për një arsye shumë të thjeshtë: sepse unë jam mandatuar së bashku me Partinë Socialiste nga 868 mijë shqiptarë për të realizuar misionin e mbylljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian,” tha Rama.







