Debat dhe shqetësim vazhdon të shkaktojë në Greqi rasti i dronit detar të tipit ukrainas që u gjet pranë Lefkadës, i mbushur me eksploziv.
Sipas reportazhit investigativ të televizionit privat STAR, autoritetet greke po përqendrojnë hetimet në dy porte nga ku dyshohet se mund të jetë nisur mjeti ushtarak: portin e Vlorës në Shqipëri dhe portin e Misratës në Libinë Perëndimore.
Sipas të njëjtit reportazh, të dyja zonat konsiderohen pika me interes strategjik për lëvizjet në Mesdhe, ndërsa për Libinë përmendet edhe prania e ekspertëve ukrainas të dronëve dhe personelit ushtarak. Autoritetet greke po përpiqen të kuptojnë rrugën që ndoqi droni, mënyrën se si përfundoi në Detin Jon dhe nëse objektivi i tij ishte një autokolonë ruse anijesh që lëvizte ditët e fundit në Mesdhe.
Pamjet satelitore që publikoi TV STAR tregojnë lëvizjen e anijeve ruse në jug të Kretës dhe Maltës. Analistë ndërkombëtarë dhe ekspertë të sistemeve pa pilot vlerësojnë se droni mund të ishte projektuar për të goditur këto anije në ujërat ndërkombëtare. Sipas specialistit Vaggelis Xanthakis, bëhet fjalë për një “torpedo të telekomanduar sipërfaqësore”, e aftë të shkaktojë dëme shumë të mëdha.







