Shteti shqiptar do të ndërhyjë në treg për të blerë drejtëpërdrejtë produkte bujqësore në raste çregullimesh, që kërcënojnë furnizimin e popullatës me ushqime. Qeveria ka propozuar një projektligj për organizimin e tregut të produkteve bujqësore dhe praktikave të padrejta tregtare.
Drafti parashikon rastet kur shteti ndërhyn për të mbrojtur konsumatorët, por edhe prodhuesit e produkteve bujqësore.
“Masat e jashtëzakonshme të ndërhyrjes në treg mund të merren në rast të çrregullimeve të rënda të tregut të produkteve bujqësore, përfshirë situatat e krizave ekonomike, shëndetësore ose mjedisore, me qëllim stabilizimin e tregut dhe mbrojtjen e prodhimit vendas,” thuhet në relacionin shoqërues të draftit.

Por me çfarë instrumentash ndërhyn qeveria në treg?
“Masat e ndërhyrjet përfshijnë, ndër të tjera, tërheqjen e produkteve nga tregu, mbështetjen për reduktimin ose ndalimin e përkohshëm të prodhimit, si dhe forma të tjera të ndihmës që synojnë balancimin e ofertës dhe kërkesës,” thuhet në relacion.
Llojet e masave të jashtëzakonshme të ndërhyrjes, periudha e zbatimit të tyre, procedurat dhe mënyra e zbatimit, dokumentacioni i nevojshëm dhe burimet financiare për realizimin e tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Përveç ndërhyrjes së jashtëzakonshme projektligji i ri, forcon edhe mbikqyrjen e tregtimit të produkteve bujqësore. Ai detyron të gjithë tregtarët e fruta perimeve që të regjistrohen në regjistrin e posaçëm kombëtar dhe të raportojnë në kohë reale çmimet e produkteve. Për ato tregtarë që refuzojnë të regjistrohen, projektligji parashikon gjoba në varësi të madhësisë së ndërmarrjes./kapitali







