Një dosje sekrete e hartuar nga Sigurimi i Shtetit, pas ngjarjes së ambasadave, jep detaje mbi mënyrën se si regjimi përpiqej të mbante nën kontroll situatën për të mos lejuar përsëritjen e ngjarjes së 2 Korrikut 1990, kur rreth 5 mijë shqiptarë u dyndën në ambasadat e vendeve perëndimore.
Sigurimi i Shtetit kishte angazhuar të gjitha strukturat për të vënë nën kontroll situatën, duke shtuar ndjeshëm edhe numrin e informatorëve. Në këtë kontekst, raportimet e bashkëpunëtorëve të fshehtë të angazhuar gjatë kësaj periudhe sjellin biseda dhe detaje interesante të kohës mbi rrezikun që i kanosej sistemit.
Disa faqe të një raporti që zyrtarë të lartë të Sigurimit të Shtetit e shpërndanin në organet më të larta të shtetit komunist na njohin me situatën e krijuar, por edhe me funksionimin e mekanizmit të Sigurimit.
Raporti titullohet: “Prononcime të qytetarëve të ndryshëm për persona që përgatiten të hyjnë në ambasada të huaja në Tiranë dhe masat e marra për parandalimin e këtij veprimi.”
Në raport përfshihen pjesë nga bisedat e informatorëve, të cilët njiheshin ndryshe si spiunë të Sigurimit të Shtetit, me qytetarë të ndryshëm që kishin planifikuar mundësinë për t’u larguar nga Shqipëria në çdo mënyrë.
Në pjesët e raportit gjenden edhe informacione që nuk lidhen drejtpërdrejt me fenomenin e arratisjes, por me atë që regjimi komunist e quante “degjenerimi i shoqërisë”. Dokumenti përmban detaje të marra nga biseda me policë apo nëpunës të ndryshëm, veçanërisht në sektorë specifikë si Aeroporti i Rinasit, ku flitet për korrupsion me mallra që vinin nga jashtë shtetit, por edhe për dhënien e pasaportave nga policë të caktuar kundrejt ryshfetit.
Në këto informacione ka edhe referenca për kontrabandë droge, si edhe për kontrabandë videokasetash me përmbajtje pornografike.
Dokumentet e mëposhtme tregojnë detaje nga më të ndryshmet, por edhe masat që Sigurimi i Shtetit kishte marrë në verën e vitit 1990 për të parandaluar arratisje të tjera jashtë Shqipërisë.
Masat e marra:
Të vendoset gatishmëria nr. 2 në rrethet kryesore.
Të përforcohen përfaqësitë me kuadro oficerësh, përfshirë oficerë të Shkollës së Ridukimit.
Grupet e ndihmës nga Drejtoria e Parë, Drejtoria e Tretë dhe Policia të dërgohen në rrethet kryesore.
Shërbimet e kufirit të përforcohen në rrethet me më shumë probleme, si Shkodra, Gjirokastra dhe Saranda, me kujdes të veçantë për portet, depot e armëve dhe objektet strategjike.
Të rritet grumbullimi i informacionit.
Të analizohen dhe të goditen personat që do të konsideroheshin të rrezikshëm në rast se situata do të përkeqësohej.








