Kryetari i Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu, ka shprehur rezerva për reformën e re administrative dhe propozimin për bashkimin e Bashkisë Maliq me Bashkinë Korçë. Ai tha se ende nuk është e qartë se çfarë do të ndryshojë konkretisht për qytetarët, financat, kompetencat dhe investimet.
Topçiu sqaroi se projektligji nuk parashikon shkrirjen e Bashkisë Maliq, por bashkimin e saj me Bashkinë Korçë. Sipas tij, Maliqi do të vijojë të ketë organizimin e vet vendor, ndërsa ndryshimi kryesor do të jetë në strukturën drejtuese.
“Ende jam i paqartë për atë çfarë do të ndodhë dhe çfarë do të ndryshojë nëse miratohet kjo reformë. Cili do të jetë statusi i qyteteve, bashkive, kompetencave, financave dhe investimeve?”, u shpreh Topçiu.
Ai theksoi se reforma nuk mund të vlerësohet thjesht me një “po” ose “jo”, pasi kërkon edhe ndryshime të tjera ligjore, përfshirë ligjin për pushtetin vendor, financat vendore dhe kompetencat që do të kenë qytetet.
Topçiu tha se Bashkia Maliq, e cila sipas të dhënave të fundit të censusit ka rreth 31 mijë banorë, përbën një komunitet të gjerë dhe ka një shtrirje të konsiderueshme territoriale.
“Unë tashmë jam duke përgatitur një material për ta çuar në Kuvendin e Shqipërisë me të gjitha ato që mendoj për këtë reformë administrative. Nuk është kaq e thjeshtë”, deklaroi ai.
Kryebashkiaku i Maliqit nënvizoi se debati nuk duhet të fokusohet te posti i kryetarit të bashkisë, por te mënyra se si reforma do të ndikojë te qytetarët.
“Duhet të shikojmë sa shërbimet ndaj njerëzve do të afrohen, sa më lehtë do të zgjidhen problemet, sa investime do të marrim dhe sa do t’u shërbejë kjo qytetarëve. Koncepti është shumë i gjerë”, tha Topçiu.
Sipas projektligjit të propozuar, Bashkia Maliq do të bashkohet me Bashkinë Korçë, ndërsa organizimi i brendshëm do të ndryshojë, duke kaluar nga struktura aktuale e bashkisë dhe njësive administrative në një organizim të ri territorial. Topçiu theksoi se këto ndryshime kërkojnë më shumë qartësi përpara se të merret një qëndrim përfundimtar.
Deklarata e plotë:
Ende unë jam i paqartë për atë çfarë do të ndodhë në kuptimin çfarë do të ndryshojë në qoftë se do të miratohet kjo reformë e re, cila do të jetë statusi i qyteteve tona, i bashkive tona, i kompetencave, i financave, i investimeve.
Problematikat janë të gjera edhe pavarësisht kjo nuk mund të thuhet me një po e me një jo.
E kur unë këtë e kam si merak në vetevete, llogarit si mund ta kenë qytetarët, si mund ta kenë njerëzit e thjeshtë, prapë po i shikojmë. Nga ana tjetër më vjen mirë që edhe opozita është pro apo është kundër bashkimit apo shkrirjes, që do të thotë i jep edhe ajo një plus për punën tonë.
Dhe kjo është për t’u për t’u ndjerë mirë që bashkia, institucioni edhe me problematikat, me hallat, me ato çfarë ndodhin në territor, paska punuar mirë. Megjithatë, vizioni që qeveria, vizioni që parlamenti, vizioni që zotëruesit po shikojmë, ndoshta e shikojnë në një prizëm tjetër që, në fakt, projektvendimi e thotë me nocione, me fjali, por nuk e shtjellon, pasiqë kjo reformë nuk kërkon vetëm një ndryshim ligjor për efekt të asaj çfarë fola me këtë projektligj i cili ka shkuar në parlament, por kërkon ndryshime të tjera ligjore në ligjin e pushtetit vendor, financat vendore, në kompetencat që duhet të kenë qytetet.
Pasi flitet për 15 qytete dhe nuk janë pak, e midis tyre Maliqi edhe Divjaka janë dy qytete goxha me peshë, me popullsi të konsiderueshme, që vetëm me censiusin e fundit Maliqi ka rreth 31 mijë banorë nga 65 mijë e kusur që ka në gjendjen civile.
Që do të thotë që flasim për një komunitet goxha të gjerë, me një bashki me shtrirje goxha të madhe edhe të gjitha këto unë tashmë jam duke i përgatitur për t’i çuar një material Kuvendit të Shqipërisë me të gjitha ato çfarë unë mendoj për këtë reformë administrative.
Nuk është kaq e thjeshtë. Mua më kanë pyetur qytetarë të ndryshëm, media të ndryshme, rrjete sociale të ndryshme: Cili është mendimi juaj? Edhe unë e kam thënë, unë e kam shprehur njëherë mendimin tim që në komision, në grupin komisionin parlamentar, i cili në atë moment nuk është se kishte hedhur ide për bashkime, për shkrirje e të tjera e të tjera, por flitej vetëm në parim mbi mbi reformën.
Dhe më kanë pyetur si ke dhe unë patjetër që kam qenë kundra shkrirjes apo bashkimit të bashkisë, se ka dy nocione. Nocioni që materiali i vjen në projektligj nuk është shkrirje, por është bashkim, dhe kanë nxjerrë edhe një nocion tjetër që të jemi të saktë edhe me projektligjin.
Projektligji i propozuar pra parashikon që Bashkia Maliq të bashkohet me Bashkinë Korçë, dhe organizimi i brendshëm propozohet të kalojë nga bashki në njësi administrative që jemi sot, në bashki, qytet dhe njësi administrative. Domethënë projektligji parashikon që qyteti i Maliqit të ketë një organizim siç e ka pasur me njësitë administrative.
Nuk do njësitë administrative të Maliqit nuk do të varen nga Korça, por do të varen përsëri nga Maliqi. Nuk do të ketë kryetar bashkie, por do të ketë një zëvendëskryetar funksional.
Se ndonjëherë flitet sikur ne si të themi pro, thonë e bëjnë për veten e tija si të thuash kundra, qajnë hallin e karriges tyre.
Për mua nuk duhet parë bashkia, pozicioni, ky ky organizim si një moment që duhet të qajmë hallin e një kryetari bashkie. Por unë mendoj që duhet të shikojmë sa shërbimet ndaj njerëzve venë më afër, sa u zgjidhen më lehtë, sa Maliqi do të ecë jo me këtë ritëm që ka ecur tani po do të ecë më mirë, sa investime do të marrim më shumë, sa do t’u shërbejë qytetarëve. Domethënë koncepti është shumë i gjerë.







