Ballina Politika Dy deputetë të PS ‘tradhtojnë’ Ramën – I thonë jo hartës së...

Dy deputetë të PS ‘tradhtojnë’ Ramën – I thonë jo hartës së re territoriale. Balla mesazh deputetëve të PS : Nëse votoni kundër reformës, e dini ç’ju pret

60
0

Dy deputetë të Partisë Socialiste, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, kanë dalë kundër propozimit për reformën e re territoriale me 46 bashki. Burimet bëjnë me dije se në mbledhjen e grupit parlamentar socialist në fillim të kësaj jave, dy deputetët kanë shfaqur rezerva për propozimin për bashkimin e 15 bashkive.

Në fund të mbledhjes së grupit parlamentar socialist, drafti për hartën e re territoriale është hedhur në votim, ndërsa Braçe dhe Sinaj kanë votuar kundër.

“Më bën të shkoj drejt votës kundër”, mësohet të ketë thënë, ndër të tjera, Erion Braçe gjatë mbledhjes. Propozimi i Partisë Socialiste parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, përmes shkrirjes së 15 bashkive.

Për miratimin e reformës territoriale në Kuvend nevojiten 84 vota. Nëse qëndrimi i dy deputetëve socialistë nuk ndryshon, kjo mund të ndikojë në numrin e votave të nevojshme për miratimin e ndarjes së re territoriale.

Përballë kësaj situate të tensionuar, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, u ka dërguar një mesazh të qartë dhe të prerë të gjithë deputetëve të tij: disiplina partiake duhet të mbizotërojë mbi çdo mendim apo rezervë personale.

Prononcimi i sotëm i Taulant Ballës si kryetar i grupit parlamentar përbën një paralajmërim të drejtpërdrejtë politik për çdo deputet socialist që mendon të dalë kundër linjës zyrtare të partisë. Megjithëse Balla përpiqet ta ambalazhojë diskursin me nota demokratike — duke pranuar se në mbledhjet e grupit ka debate, mendime ndryshe apo edhe vota kundër — ai e bën të qartë kufirin e pakalueshëm: vendimi përfundimtar është politik dhe i detyrueshëm për të gjithë.

Frazat e përdorura prej tij, si “ju e dini vendimin politik” dhe referimi se “në fund është ai vendimi tjetër që pason”, përbëjnë një mesazh të koduar, por mjaft të qartë përjashtimi nga grupi parlamentar ose penalizimi politik për këdo që rrezikon miratimin e reformës më 84 vota.