Nga Abdurrahim Ashiku
Rrëfim
Ai vjen gjithnjë në lokalin tim. Nuk është imi, unë jam thjesht një kamerier, por derisa kam gati gjithë vitet e emigracionit në shërbim atje, “Lokali im” e quaj.
I thjeshtë është lokali, pa salltanete e çikërrima që të marrin mendtë e të krrujnë xhepin . Ajo që tërheq deri personalitete të larta të pasurive, politikës dhe shtetit është freskia e ushqimit, freski që tash ka marrë dhenë me fjalët “produkte bio”. Po ajo që është më “bio” se sa “bio-t” e ushqimeve është shërbimi për të cilin rezervohem të flas gjatë sepse do të duket sikur ngre në fluturim veten.
Ai, thashë, vjen shpesh në lokalin tim, vjen me miq të një grade me të, vjen me të huaj, vjen edhe me kryetarin e partisë tash në gradën më të lartë shtetërore.
Kësaj radhe erdhi me të shoqen dhe me një çift me të cilin fliste anglisht.
Si zakonisht u urdhërova mirëseardhjen me anglishten time, i sistemova në tavolinën më të mirë të lokalit, u përshkrova të veçantat e menysë së asaj mbrëmjeje duke vënë theksin në ato prodhime të kuzhinës që ai i kishte në gjuhë të shijes dhe oreksit.
Porositi verë, nga më e mira, më e shtrenjta e lokalit, 80 euro shishja. Befasinë e porosisë e lidha me mikun në tavolinë, ndere që lidheshin me ndere.
Ndërkohë që zbrita në qilar për të marrë verën, pronari kish shkuar në tavolinën e tyre, u kishte uruar mirëseardhjen, kuptohet në greqisht sepse anglishtes nuk ia thotë fare, Ai i kishte thënë se çdo gjë është në rregull duke përcjellë fjalë të mira ndaj meje.
Më ka ndodhur shpesh herë që të ftohem në bisedë me klientët. Madje njëherë të jem përkthyes i drejtpërdrejtë midis klientit grek dhe të ftuarit të tij italian thjesht sepse ai nuk dinte asnjë fjalë italisht. Këtë radhë në bisedë më tërhoqi miku i tij, profesor filologjie në një universitet me zë në Londër.
– Flisni shumë bukur anglisht, – më tha profesori- Ku e keni mësuar?
– Në shkollë kam hedhë rrënjët, në praktikë, në biseda me njerëzit, kam kapur degët.
– Mos më thuaj se je grek.
– Nuk jam grek.
– Mos më thuaj se je sllav, rumun, lindor. Unë kam shumë studentë nga Lindja. Asnjë nuk arrin ta shqiptojë anglishten kaq qartë dhe saktë sa e shqiptoni ju.
– Faleminderit!
– Shpresoj se ajo që mendoj unë të jetë në përgjigjen e pyetjes time: Nga jeni?
– Jam shqiptar, jam nga Shqipëria.
– E dija, e ndjeja, vetëm shqiptarët e flasin bukur anglishten aq sa nuk i dallon dot nga anglezët.
– Faleminderit!
– Dhe a e dini pse?- iu drejtua ai mikut të tij grek. – Gjuha shqipe është e vetmja gjuhë që i ka të gjitha tonet, të gjitha magjitë e gjuhëve. Unë kam vënë re se shqiptarët po aq bukur e saktë sa flasin anglisht po aq bukur dhe saktë flasin edhe frëngjisht, edhe arabisht, edhe rusisht. Studentët e mi shqiptarë janë më të mirët.
Ndërsa dëgjoja profesorin anglez të fliste me kaq dëshirë e pasion për gjuhën e nënës time, për sivëllezërit e mi që e flisnin gjuhën e nënës së tij aq rrjedhshëm dhe aq bukur sa kishin rrëmbyer zemrën e tij, u ndjeva krenar, ngrita kokën lart dhe kërkova qiellin pas tavanit të bardhë të lokalit.
Miku i tij grek ishte befasuar nga dialogu me profesorin anglez. Ai nuk e dinte se jam shqiptar. Nuk më kishte pyetur kurrë dhe unë nuk i kisha thënë. Me të komunikoja me një greqishte të pastër çka ai besonte që isha grek kurse me miqtë e tij komunikoja anglisht. E pashë të lëvizte në karrige i befasuar.
Ku ikën, si për të gjithë, por kësaj radhe me dëshirën e madhe për ti bërë nder të veçantë profesorit anglez, i përcolla deri jashtë.
Profesori anglez ma shtrëngoi me dëshirë të madhe dorën.
– Thank you Xhorxh! – më tha me një buzëqeshje që i dilte nga shpirti.
– Faleminderit! – përsëriti edhe miku i tij grek duke më dhënë dorën.
Ishte e para herë që ai njeri, frekuentues i përhershëm i lokalit tim, më jepte dorën dhe më thoshte “Faleminderit” .
Nuk e di në se e dha për inerci, për respekt të mysafirit të tij apo sepse e ndjeu.
Këtë do ta shoh javën tjetër, kur përsëri do të jetë në lokalin tim, si gjithnjë i shoqëruar nga njerëz me grada të larta…