Eliminimi nga Europa League dhe mbyllja e sezonit pa një titull i ka kushtuar shumë Stefano Piolit. Mediet në Itali bëjnë me dije se në fundin e sezonit drejtuesit kuqezinj do largojnë trajnerin nga stoli dhe janë në kërkim të një emri të ri.
Në një sondazh të zhvilluar nga “Sport Mediaset”, tifozët e Milan kanë zgjedhur që si pasuesi i Piolit të jetë Antonio Conte, ish-i i Juves, Interit apo edhe i kombëtares së Italisë.
Në Milanello po studiojnë mundësitë, me Conten që pas largimit nga Tottenham është një i papunë luksi dhe rikthimi në “San Siro” këtë herë projektohet me ngjyrat kuqezi.
Pioli nuk po arrin të ndezë ‘shkëndijën’ e ekipit, me Giroud dhe Leao të “fikur” në dy ndeshjet kundër Romës, që solli edhe eliminimin nga Europa League. Tanimë vendi i dytë i Serie A është në dorë të Milanit, teksa Interi e ka vetëm çështje kohe për të zyrtarizuar titullin kampion të 20-të në Serie A.
Me Milanin që ndan rrugët me Piolin, duket se Conte është në “pole” për t’u rikthyer të trajnojë në Serie A.