Këngëtarja Besa Kokëdhima, e cila ka përfaqësuar Shqipërinë me këngën “Titan”, s’ka mundur ta kualifikojë vendin në finalen e Eurovizionit. Besa Kokëdhima ishte renditur e 2-ta në radhë për të performuar në gjysmëfinalen e dytë të Eurovizion 2024, një nga ngjarjet muzikore më të ndjekura në botë.
Por rrugëtimi i këngëtares është ndërprerë aty, pasi s’ka mundur të kualifikohet në finale. 10 shtetet që patën sukses në votimin publik të së enjtes ishin: Letonia, Austria, Holanda, Norvegjia, Izraeli, Greqia, Estonia, Zvicra, Gjeorgjia, Armenia. Gjashtë vendet e eliminuara ishin Shqipëria, Malta, Belgjika, Çekia, Danimarka dhe San Marino.
Besa Kokëdhima dhuroi shumë energji dhe adrenalinë me këngën e saj “Titan”, të cilën e këndoi në gjuhën angleze dhe ndezi skenën në “Malmo Arena”, Suedi. Skenografia dhe veshja e këngëtares ishin një detaj shumë i veçantë dhe i kombinuar në mënyrë perfekte për të përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në festivalin më të madh evropian Eurovision 2024.
Por teksa e pamë në skenë, menjëherë veshja e këngëtares na solli ndërmend një tjetër veshje. Nuk vonuam shumë për ta gjetur se ku e kishim parë më herët një veshje, thuajse të njëjtë. Dhe ja ku është pikërisht, Olta Gixhari, duke mbajtur të njëjtin model, të njëjtën ngjyrë fustani si të Besës. Të vogla ishin detajet që ndryshonin nga një veshje, tek një tjetër. Në rastin e Besës, këngëtarja kishte edhe pjesën e kapuçit, duke sjellë disa rrudha më shumë në prerje. Edhe çarja e fustanit asimetrik, apo dekolteja ishin disi më ndryshe se te fustani që Olta ka veshur më herët, megjithatë, copa, ngjyra, koncepti i veshjes ishte thuajse i njëjtë. Mjafton të përmendim këtu fakti se si fustani i Oltës ashtu edhe i Besës, ishin stiluar nga i njëjti stilist, nga Valdrin Sahiti për të konfirmuar edhe njëherë ngjashmërinë e dy veshjeve. Para se të nisej për në Suedi, Besa ndau për publikun emocionet e kësaj pjesëmarrjeje.
Kujtojmë se Olta Gixhari e ka veshur këtë fustan në mbrëmjen e finales së “Big Brother”, fiks një vit më parë.