Ballina Politika Agron Duka: Qeveria dhe bashkia të ndihmojnë viktimat e zjarrit në Shkodër!

Agron Duka: Qeveria dhe bashkia të ndihmojnë viktimat e zjarrit në Shkodër!

133
0
E di që qeveria dhe shumica e deputetëve janë sot në Gjermani për të mbështetur skuadrën tonë të futbollit. Por ca njerëz ketu kanë nevojë për një tjetër mbështetje.
Këtë hapësirë komunikimi me ju do të doja t’ia kushtoja një tragjedie që ka ndodhur dje pasdite në Shkodër. Edhe pse pa viktima në njerëz, zjarri masiv që skatërroi një treg dhe shumë banesa, është sërish tragjik.
Të paktën 80 familje kanë mbetur në rrugë, pa punë, pa asnjë mënyrë tjetër jetese. Ndërsa disa edhe pa strehë fare.
Nuk do të dua të besoj se zjarri ishte i qëllimshëm, për ti larguar tregtarët nga një hapësirë ku punonin prej shumë vitesh, në mënyrë që aty të ndërtohen pallate. Edhe pse kjo metodë dëbimi e të varfërve nga trojet e tyre është e vjetër, që nga koha e Neronit të Romës.
Ndaj unë, në emër të ligjit dhe humanizmit, i bëj thirrje organeve të drejtësisë të zhvillojnë një hetim të paanshëm dhe të drejtë për të zbuluar shkaqet e zjarrit.
Por, ndërkohë, bashkia dhe qeveria qëndrore duhet të shikojnë me prioritet mbështetjen ndaj familjeve që u shkatërruan. Ata janë shtresa më në nevojë e shoqërisë, por që nuk kanë zgjedhur lëmoshën e ndihmës ekonomike për të jetuar, por të shesin rroba dhe materiale të përdorura në treg.
Për të treguar se nuk ka patur asnjë konspiracion në atë zjarr, bashkia duhet ta sistemojë sa më shpjet atë treg dhe të rikthejë në punë ata njerëz, të cilët kishin vendisur të jetonin me djersën e ballit. Ata duhet të mbështeten, sado modestisht, për dëmet e pësuara, sepse detyra e shtetit nuk është vetëm ti shkojë për ngushëllim njerëzve të tij kur pësojnë.