Një turist gjerman është gjetur dhe ndihmuar nga Policia pasi kishte humbur orientimin gjatë udhëtimit nga Valbona në Theth. Ngjarja u raportua nga motra e tij, e cila informoi autoritetet se vëllai kishte humbur rrugën dhe nuk kishte më kontakte me të.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Stacionit të Policisë Theth u nisën drejt zonës së shpellës së Pejës për të lokalizuar turistin. Pas disa orësh kërkimesh, punonjësit e Policisë arritën të gjejnë turistin gjerman, i cili ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Ai më pas u shoqërua dhe u akomodua në një bujtinë në Theth.