Ballina Aktualitet Policia përgënjeshtron Berishën: Gjekmarkaj s’u dhunua, u ndje keq dhe iku! Keqardhje...

Policia përgënjeshtron Berishën: Gjekmarkaj s’u dhunua, u ndje keq dhe iku! Keqardhje për Nokën, goditi efektivët! Janë evidentuar shkelësit, do procedohen

95
0

Policia e Tiranës ka përgënjeshtruar kreun e PD, Sali Berisha, që akuzoi efektivët se sulmuan dhe dhunuan barbarisht nënkryetarin e partisë dhe Kuvendit, Agron Gjekmarkaj.

Teksa shpjegon se deputeti Gjekmarkaj nuk ishte ndjerë mirë dhe ishte larguar nga Protesta, institucioni mohon se efektivët e kishin goditur.

Gjithashtu Policia denoncoi veprimet e deputetit Flamur Noka, duke shprehur keqardhje për sulmin dhe goditjen e tij ndaj efektivëve në detyrë.

Në fund theksohet se janë identifikuar të gjithë personat e dhunshëm në protestë dhe që shkelën ligjin.

Reagimi i plotë i Policisë Tiranë:

“Policia e Shtetit përgënjeshtron si tërësisht të pavërtetë deklaratën në media të z. Sali Berisha, ku pretendoi se deputeti Agron Gjekmarkaj është goditur nga punonjësit e Policisë.

Deputeti Gjekmarkaj nuk është goditur nga asnjë punonjës policie, por, nga të dhënat e para, rezulton se ai nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe është larguar nga protesta.

Policia e Shtetit shpreh keqardhje për këto deklarata dhe, mbi të gjitha, për veprimet e dhunshme të deputetit Flamur Noka, i cili jo vetëm nuk iu bind urdhrit të Policisë për të liruar rrugën, por ka kundërshtuar me dhunë, duke shtyrë, fyer dhe goditur punonjësit e Policisë që ishin në detyrë për të liruar rrugën me qëllim lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.

Policia e Tiranës ka evidentuar të gjithë ata shtetas që bllokuan në mënyrë antiligjore rrugën dhe kundërshtuan urdhrin e punonjësve të Policisë për ta liruar atë dhe do të procedohen sipas ligjit.

Bllokimi i rrugëve është vepër penale, ç’ka u është bërë e qartë organizatorëve të protestës në përgjigjen e kthyer nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, që mori përsipër garantimin e protestës, por pa bllokuar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve”.