Një shtetas turk, Bayram Yildiz, është ndaluar nga autoritetet shqiptare në pikën kufitare të Morinës.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ishte i dënuar me 15 vite, 2 muaj e 15 ditë burg nga Gjykata e Bursas në Turqi për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim.
Yildiz, 39 vjeç, tentoi të hynte në Shqipëri, por u ndalua në kuadër të bashkëpunimit mes Policisë Kufitare të Morinës dhe Interpol Tirana. Po vazhdojnë procedurat për ekstradimin e tij në Turqi.
Njoftimi i Policisë:
Tentoi të hynte në Shqipëri, duke qenë i dënuar në Turqi, me mbi 15 vite burgim, për falsifikim të dokumenteve dhe për mashtrim, ndalohet 39-vjeçari turk, i kërkuar ndërkombëtarisht.
Krahas angazhimit maksimal për të ofruar shërbim cilësor dhe me etikë, qytetarëve në hyrje/dalje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë kanë vijuar punën për goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për ndalimin e shtetasve që sinjalizohen të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pkk.