Ballina Europë Një muaj përpara zgjedhjeve në Gjermani, partia e kancelarit Scholz pëson rënie...

Një muaj përpara zgjedhjeve në Gjermani, partia e kancelarit Scholz pëson rënie të ndjeshme

53
0

Më pak se një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme në Gjermani, një sondazh i ‘YouGov’ ka treguar se mbështetja për socialdemokratët (SPD) të kancelarit Olaf Scholz ka pësuar një rënie të ndjeshme, ndërsa partia ekstremiste e djathtë “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) ka shënuar një rritje të konsiderueshme.

Sipas sondazhit, SPD ka humbur katër pikë, duke rënë në 15% në krahasim me javën e kaluar, ndërsa AfD ka arritur 23%, duke u bërë forcë e dytë më e madhe pas aleancës konservatore CDU/CSU, që ka 29%.

Sondazhet e tjera sugjerojnë se CDU/CSU mund të arrijë deri në 30% ose më shumë. Partitë si “Të Gjelbrit” dhe “Demokratët e Lirë” (FDP) kanë pësuar gjithashtu rënie, me të parët që shkojnë në 13%, dhe FDP që është nën pragun prej 5% të nevojshëm për të hyrë në Bundestag.

Ky sondazh është kryer mes 24 dhe 27 janarit, disa ditë pas një sulmi me thikë në Bavari që la të vdekur një burrë dhe një djalë të ri. I dyshuari për këtë sulm është një shtetas afgan i cili kërkesa për azil ishte refuzuar. Ky incident ka shtuar tensionet lidhur me politikat e migracionit, duke e bërë këtë çështje të rëndësishme për 36% të të anketuarve, nga 23% një javë më parë. Pas sulmit, kreu i CDU/CSU, Friedrich Merz, ka kërkuar një rishikim të politikës së migracionit, ndërkohë që dy mocionet për këtë çështje do të diskutohet në Bundestag.

Gjermania është gati për zgjedhjet më 23 shkurt, pas rënies së koalicionit të kancelarit Scholz në nëntor.