Ballina Editorial Zgjimi i Lulit, që zgjoi sinqeritetin e Edi Ramës

Zgjimi i Lulit, që zgjoi sinqeritetin e Edi Ramës

60
0

Klodian Tomorri

Lulëzim Basha ka një efekt të çuditshëm mbi kryeministrin. Madje dy.

Së pari nxjerr në pah anën më sentimentale të Edi Ramës. Deri në kufijtë e romantizmit.

Kush i ka parë videomesazhet e shkëmbyera mes të dyve, nuk ka se si të mos ketë mbetur i goditur nga toni i ëmbël, me të cilin shefi i qeverisë i përgjigjet shefit të euroatlantikëve. Dhe po të shohësh backgroundin sentimental të kryeministrit, kjo nuk është pak.

Habi! Kujt ja merrte mendja se atje ku dështuan gratë, do t’ia dilte një burrë. Por ky është vetëm efekti i parë.

Efekti i dytë është edhe më i rëndësishëm për jetën publike. Përvec romantizmit, zgjimi i Lulit zgjon edhe sinqeritetin e Edi Ramës.

Teksa i pari i euroatlantikëve pyeste me vargjet e Unikatilit “Ku i ke shokët o Ramë, ku të kanë mbet shokët” i pari i qeverisë e kishte gati përgjigjen. -Në Partinë Socialiste, një bie dhe mijëra ngrihen.”

Rrallë herë më parë Edi Rama ka qenë kaq i sinqertë në publik. Sepse kjo është më të vërtetë e vërteta.

Teksa Lalët, Gjushët, Beqet, Terët, Alqët e shumë të tjerë parkohen në qelitë e Durrësit, në karriget e tyre vijnë të tjerë sa hap e mbyll sytë. Edhe këta që vijnë janë i njëjti stof. Kontigjent për në Durrës, por pak më vonë. Sepse loja vazhdon.

Ata që e njohin nga afër rrëfejnë se një nga serialet televizive që Edi Rama preferon më shumë është El Chapo. Në një nga seritë e tij, ka një episod ku narkotrafikantit më të madh të botës i arrestojnë krahun e djathtë.

Kur e informuan për këtë, Chapo u përgjigj ftohtë: “Cambian los jugadores, pero el juego es el mismo.” Pra, lojtarët mund të ndryshohen, por loja mbetet e njëjta.

Ky ishte mesazhi i sinqertë i kryeministrit që zgjoi zgjimi i Lulit. Shokët bien, por loja, dmth hajnia, mbetet gjithmonë e njëjta. Sepse siç thotë kryeministri, Partia Socialiste është shumë e madhe. Ka plot shokë për të rënë.

Pero el juego es el mismo.