Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar pas arrestimit të 16 pelegrinëve serbë në territorin e Kosovës, nën dyshimet për destabilizim.
Vuçiq ka pretenduar se personat e ndaluar kishin shkuar për të vizituar Seminarin Teologjik dhe manastiret përreth Prizrenit.
“Imagjinoni, disa nga këta persona janë edhe pjesëtarë të strukturave të sigurisë, dhe pastaj u kanë gjetur, thonë, një thikë dhe një sëpatë të thyer – është krejtësisht e qartë se nuk shërbejnë për asgjë tjetër, përveç për ndonjë përdorim privat dhe nevoja personale”, u shpreh Vuçiq sot, sipas REL-it.
“Dhe, kjo ju tregon çfarë terrori po vazhdon ndaj serbëve”, shtoi ai.
Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, ka thënë se përveç katër pelegrinëve serbë në Gjakovë, janë ndaluar edhe 12 të tjerë në Prizren.
Sveçla tha se në bazë të hetimeve paraprake, një toger ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit terrorist të Bansjkës, Nemanja Radivojeviq me nofkën “Gandi”. Sipas ministrit në detyrë, “Gandi” është i lidhur me Vladimir Radivojeviq, të dyshuarin kryesor për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku.
Media raportoi me burime se në Gjakovë të shtunën u arrestuan dy serbë nga Mitrovica dhe dy të tjerë nga Serbia. Njëri nga Novi Sadi e tjetri nga Beogradi.
Burime të mediave bënë me dije se në Gjakovë në pranga ranë Branko Rakiq dhe Milovan Steviq, që të dy serbë me vendbanim në Mitrovicë.
Ndërkaq dy serbët e tjerë me vendbanim në Serbi janë: Nemanja Vamoviq dhe Pavle Kragoviq.
Policia ka njoftuar gjatë ditës së në veturën e katër pelegrinëve serbë në Gjakovë janë gjetur dhe sekuestruar dy thika dhe një sëpatë.