Nga Afrim Ramadani
Ora 08:30.
U zgjova me një ndjenjë të çuditshme. Diçka nuk shkonte. E ndjeja në ajër, në atmosferë,…,në qumështin që më ishte prishur në kafe. Nuk e mora seriozisht- gabimi i parë!
Hapa zyrën, sistemova disa dokumente të cilat i kisha në çantë dhe mandej aktivizova kompjuterin.
Dita dukej e qetë… derisa në derë u shfaq ai – Akili, njeriu që solli me vete shtrëngatën, stresin dhe… një kontratë! E mbante sikur mbante një relikt shumë të çmuar nga Antika e hershme.
“Mos ma humb,” – më tha. “Është dokument i vetëm – për ambasadë. Nuk kam kopje tjetër.”
I’u përgjigja me fjalinë më të mallkuar ndonjëherë:
“Mos u shqetëso, është në duar të sigurta.”
Dhe ja ku nisi tragjedia.
Një telefonatë, një palë tjetër, një përkthim që nuk doli. Një kapsllëk i shtypësit, një myk në tavolinë, një e-mail me titull: “Urgjent!”.
Kur e mora veten, kontrata kishte ikur nga „faqja e dheut“.
Sytë më errësuan. Fryma mu ndal. Më kapi një panik që vetëm një përkthyes i dëshpëruar mund ta kuptojë. Kërkova gjithandej. Hapa dollapin ku mbaj letra të vjetra, nën tastierë, brenda mikrovalës,…,brenda frigoriferit! Parashtrova pyetjet e përsëritura shumë herë: përsëri, pse, si?!
Dhe atëherë…Akili u kthye. “Ku është kontrata?” – më pyeti me një zë që më ngriu gjakun.
Unë: “Shiko… kemi një… situatë…”
Ai: “Mos më thuaj që e ke humbur! Mos… më thuaj…!”
Dhe nisi drama. Unë u mbrojta si një avokat i dëshpëruar në sallën e gjykatës. Ai fliste me duar, me sy, me shpirt. Në një moment mu duk sikur e dëgjova të pëshpëriste: “Ambasadës, do t’ia çoj këtë zyrë!”
Në fund, pas një kërkimi që zgjati 1 orë, 7 minuta dhe 13 sekonda (po i numërova), e gjetëm kontratën të shtypur mes dy fletëve të një përkthimi të vjetër nga gjermanishtja në gjuhën shqipe.
E mora dhe e përktheva me duar që më dridheshin.
Akili iku pa kthyer kokën, si në filmat ku heroi largohet në perëndim të diellit – por pa muzikën e bukur.
Unë mbeta në zyrë, me një kontratë të përkthyer, një shpirt të lodhur dhe tre kafe që më bënin të ndihem si celulari në dridhje.
Në fund të kësaj rëmuje, kuptova tri gjëra:
– Klientët pa kopje rezervë janë më të rrezikshëm se çdo përkthim juridik.
– Shtypësi është armiku im.
– Nuk ka tragjedi më të madhe se të humbasish një dokument,… që nuk është i yti!