Presidenti kinez Xi Jinping mbërriti sot në Phnom Penh, ndalesa e fundit e një turneu që synon forcimin e marrëdhënieve të Pekinit me partnerët e tij në Azinë Juglindore përballë ofensivës doganore të Shteteve të Bashkuara.
Xi vizitoi fillimisht Vietnamin dhe më pas Malajzinë, në një kohë kur Kina përpiqet të balancojë rritjen e madhe të tarifave doganore të vendosura nga presidenti Donald Trump ndaj partnerëve tregtarë të SHBA-së.
Lideri kinez u ul në aeroportin e Phnom Penh ku u prit nga mbreti Norodom Sihamoni në një ceremoni ushtarake.
Pasdite, Xi Jinping do të shkojë në pallatin mbretëror, përpara se të takohet me ish-udhëheqësin Hun Sen dhe djalin e tij, kryeministrin Hun Manet, sipas dokumenteve zyrtare të siguruara nga Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP).
Sipas një deklarate të publikuar sot nga faqja zyrtare e lajmeve të Kamboxhias Fresh News, Xi theksoi se Kina mbështet mbretërinë në “zgjedhjen e një rruge zhvillimi që i përshtatet kombit të saj, duke ruajtur sovranitetin kombëtar, pavarësinë dhe integritetin territorial.”
Kina, si partneri kryesor tregtar i Kamboxhias, është edhe investitori i huaj më i madh në vend dhe zotëron më shumë se një të tretën e borxhit të jashtëm të mbretërisë, që arrin në 11 miliardë dollarë, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar.