Shkencëtarët kanë gjetur atë që ata po e quajnë shenjën më të fortë të jetës së mundshme përtej sistemit tonë diellor, pasi zbuluan gjurmën kimike të gazeve në atmosferën e një planeti alien, që në Tokë prodhohen vetëm nga organizmat e gjallë.
Duke përdorur teleskopin hapësinor James Webb, shkencëtarët gjetën gjurmë të dy gazeve – dimetil sulfid (DMS) dhe dimetil disulfid (DMDS) – në një planet të quajtur K2-18 b.
Bëhet e ditur se në Tokë, këto gazra gjenerohen kryesisht nga organizmat e gjallë, duke përfshirë algat, duke sugjeruar se K2-18 b mund të jetë i mbushur me jetë mikrobike.
Studiuesit kanë theksuar se gjetjet nuk janë një njoftim i zbulimit të organizmave të gjallë aktualë, por më tepër një tregues i një procesi biologjik, shkruan skynews.
K2-18 b, i vendosur rreth 124 vite dritë nga Toka në yjësinë e Luanit, është 8.6 herë më i madh se Toka dhe ka një diametër rreth 2.6 herë më të madh se planeti ynë.
Ai orbiton në “zonën e banueshme” – një distancë ku uji i lëngshëm, një përbërës kyç për jetën, mund të ekzistojë në një sipërfaqe planetare.
Nikku Madhusudhan i Institutit të Astronomisë të Universitetit të Kembrixhit, tha se ishte një “moment transformues në kërkimin e jetës përtej sistemit diellor”.
“Ne kemi hyrë në epokën e astrobiologjisë vëzhguese”, tha profesori Madhusudhan.
Raportohet se vëzhgimet e mëparshme nga Webb, të cilat u nisën në vitin 2021 dhe u bënë funksionale në vitin 2022, kishin identifikuar metanin dhe dioksidin e karbonit në atmosferën e K2-18 b, hera e parë që molekulat me bazë karboni u zbuluan në atmosferën e një ekzoplaneti në zonën e banueshme të një ylli.
“I vetmi skenar që shpjegon aktualisht të gjitha të dhënat e marra deri më tani nga JWST (James Webb Space Telescope), duke përfshirë vëzhgimet e kaluara dhe të tashme, është ai ku K2-18 b është një botë e mbushur me jetë”, shtoi profesori.
“Të dhënat e pasura nga K2-18 b e bëjnë atë një botë joshëse”, tha Christopher Glein, shkencëtar kryesor në Divizionin e Shkencave Hapësinore të Institutit Kërkimor Jugperëndimor në Teksas.
“Këto të dhëna të fundit janë një kontribut i vlefshëm për të kuptuarit tonë.”