Ballina Opinion Alfabeti i verbërisë!

Alfabeti i verbërisë!

51
0

Nga Arian Galdini

Ka vende ku liria e votës është fitore e shekujve të gjakosur të mendimit politik e qytetar.

Ka vende ku fjala “demokraci” lind nga rrënjët e dhembjes njerëzore për të qenë pjesë, për të ndikuar, për të zgjedhur.

Por ka edhe vende, ku e drejta e votës është ngatërruar me lejen për të shpifur, etiketuar, gjakosur me fjalë, përdhunuar me meme, dhe vulosur me injorancë çdo njeri që ka guximin të jetë ndryshe.

Në këto vende, mosha mbi 18 vjeç nuk është as vetëdije, as përgjegjësi, as qytetari.

Ky është vendi ku e drejta e votës mbi 18 vjeç ngatërrohet me të drejtën e mendimit nga ata me alfabet vetëm 18 shkronja…

Është thjesht një numër që i jep dikujt një kartë identiteti me të cilën voton, klikon, shan, vendos emra, dhe pastaj shkon të flejë me mendimin se ka kryer një akt qytetar.

Ky është vendi ku alfabeti është prerë në mes.

Nuk është më 36-shkronjëshi i gjuhës shqipe, por një version i zvogëluar, i cunguar, ku fjalët nuk ndërtojnë më mendim, por mbartin vrer.

Ku njerëzit nuk përdorin gjuhën për të kuptuar, por për të etiketuar dhe vrarë me emërtime.

Është alfabeti i urrejtjes së shpejtë, i gjuhës së sharjes, i sintaksës së egos.

Një alfabet i verbërisë.

Kur e drejta e votës i jepet dikujt që nuk di të lexojë një faqe reflektimi, por reciton me zell një sms që i ka ardhur nga shefi i partisë, atëherë nuk kemi demokraci, kemi zallamahi numerike.

Rousseau thoshte se liria politike nuk është thjesht në të drejtën për të zgjedhur përfaqësues, por në kapacitetin për të zgjedhur me vetëdije, me mendim, me kuptim.

Kur kjo vetëdije mungon, atëherë vetë vota nuk është më një akt lirie, por një instrument vetëshkatërrimi kolektiv, që i jep fuqinë e pushtetit atij që i jep turmës më shumë iluzione, jo më shumë ide.

Në një shoqëri të tillë, ku alfabeti i mendimit është zëvendësuar me klishe, dhe fjala është shndërruar në armë virtuale për të nxirë, atëherë nuk jemi më në demokraci, por në “kratologji”, një sistem ku sundon zëri më i lartë, jo ideja më e drejtë.

Në këtë vend, gjykatat janë zëvendësuar me forume dhe profile.

Prokuroria është një status.

Vendimi është një koment i ngjeshur me pafundësi e brutalitet fjalësh sharjeje.

Dhe ligji i vetëm është ndjenja e çastit që të frymëzon për të gjykuar, poshtëruar e damkosur.

Ashtu siç paralajmëronte Hannah Arendt, tirania moderne nuk ka nevojë për diktatorë klasikë.

Ajo ngrihet përmes banalitetit të së keqes, përmes shpërndarjes horizontale të injorancës, egërsisë dhe mosnjohjes së kufirit të vetes.

Kur gjithkush ndihet Gjykatës dhe Shok Virtual në të njëjtën kohë, kemi krijuar një klasë të re burokratësh të urrejtjes, të cilët nuk përballen me pasojat e fjalëve të tyre, sepse fshihen pas tastierës, si brejtës virtualë, por që kanë një ndikim real në jetën, figurën dhe shpirtrat e të tjerëve.

Kjo është një frazë që do të përmbyse çdo tru entuziast të pseudo-demokracisë së sotme.

Por është e vërteta më therëse se jo çdo njeri që flet, mendon.
Dhe jo çdo njeri që ka zë, ka ide.

Platonit i takon një nga idetë më të rrezikshme për botën moderne kur shkruante se qeverisja duhet të bëhet nga ata që janë të pajisur me njohje dhe mençuri, jo thjesht nga shumica.

Demokracia, për të qenë e shëndetshme, ka nevojë për aristokracinë e mendjes, jo për shumicën numerike të injorancës së organizuar.

Kur të gjithë bëhen të barabartë në të drejtën për të klithur pa përgjegjësi, atëherë barazia shndërrohet në farsë, dhe fjala “popull” bëhet një maskë për turmën që s’di ç’kërkon, por kërkon gjithmonë me inat.

Zgjidhja nuk është censura.

Nuk është paragjykimi a pafuqizimi i votës.

Por ngritja e standardit të vetëdijes qytetare.

Qytetari nuk duhet të formohet në moshën 18 vjeç, por nga mosha 1 vjeç, ku mëson se gjuha është armë ose urë, se fjala është ndërtesë ose mure, se zëri yt është ose lutje ose britmë boshe.

Sistemi arsimor nuk mund të jetë një fabrikë diplomash.

Duhet të bëhet aty ku mësohet alfabeti i përgjegjësisë.

Atëherë kur të vijë mosha 18, vota nuk do të jetë një fletë e zakonshme, por një pasqyrë e dinjitetit dhe zgjedhjes së vetëdijshme.

Alfabeti nuk është thjesht 36 shkronja. Është shpina e kulturës, trupi i mendimit, lëkura e ndërgjegjes.
Dhe kur shoqëria harxhon këtë alfabet për të ndarë sharje dhe jo ide, për të shpërndarë panik dhe jo dritë, atëherë edhe vota bëhet një akt bosh, një valë që fundos më shumë se sa çliron.

Aty ku njerëzit votojnë pa lexuar, komentojnë pa ditur, shajnë pa menduar, aty nuk kemi qytetarë, por turmë.

Dhe qytetërimi nuk ndërtohet nga turma, por nga njerëz që zgjedhin të dinë përpara se të flasin.

Në një vend ku alfabeti mësohet për të sharë, e vota përdoret për të dhunuar, duhet një kryengritje e mendjes, një ringritje e shpirtit, një rilindje e fjalës.

Vetëm atëherë, çdo shkronjë do të jetë dritë.
Dhe çdo votë, bekim.

Kjo edhe është Shqipëria jonë, ky vend ku jetojmë ne, ku normalisht si gjithkund e drejta e votës që i jepet çdo mbi 18-vjeçari, nuk është më një kurorë e qytetarisë, por një mashtrim aritmetik që ndërton farsën e demokracisë mbi themelet e mosdijes, urrejtjes dhe çoroditjes kolektive.

Ky është vendi ku mosha mbi 18 vjeç të jep të drejtën për të vendosur për fatin e një vendi, ndërsa njohja e alfabetit nuk është më as kriter, as turp, as kufizim.

Në këtë vend, shumë prej atyre që kanë kaluar 18 pranverat e jetës, nuk njohin më shumë se 18 shkronjat e alfabetit të jetës.

Dhe ç’është më e tmerrshmja, u është dhënë jo vetëm e drejta për të votuar, por edhe e drejta për të gjykuar, për të sharë, për të vendosur mbi jetën, nderin dhe dinjitetin e të tjerëve.

Dhe e bëjnë këtë pa asnjë ndjenjë përgjegjësie, pa asnjë vetëdije për pasojat.

Tani gjithkush, mjafton të ketë një telefon dhe një lidhje interneti, dhe është automatikisht gjykatës suprem, prokuror popullor, analist i gjithëditur dhe komentues me kamzhik virtual.

Pa studiuar një ditë në jetë.

Pa lexuar një libër që tejkalon 140 karakteret.

Pa pasur guximin për të heshtur para asaj që nuk di.

Diogjeni i Sinopit, filozofi që ecte me një llambë ditën për të kërkuar “njeriun”, sot do të bënte të njëjtin gjest, por ndoshta në vend të llambës do të mbante në dorë një telefon të ndezur, duke kërkuar një qytetar që mendon, jo që vetëm klikon.

Sepse qytetari i epokës sonë nuk është më njeri që mendon përpara se të flasë, është njeri që shan përpara se të kuptojë.

Jean-Jacques Rousseau, në “Kontrata Sociale”, theksonte se për të qenë pjesë e sovranitetit popullor, qytetari duhet të jetë i arsimuar, i formuar, i vetëdijshëm për të mirën e përbashkët.

Demokracia nuk është vetëm numër.

Ajo është mendim kolektiv i ndërgjegjshëm. Por kur e drejta e votës ngatërrohet me të drejtën për të ulëritur, për të etiketuar, për të sharë e baltosur pa asnjë kriter, atëherë ajo nuk është më demokraci, është anarki populiste me maskë qytetarie.

Sot, shumë prej atyre që kanë “votën”, nuk kanë më as alfabetin, as kuptimin, as ndjeshmërinë për të ditur se çfarë peshe mbart një fjalë.

Ata lexojnë vetëm sms të porositura nga partia, marrin udhëzime nga profile të rreme, klonojnë mendime boshe dhe sulmojnë çdokënd që nuk i përket turmës së tyre ideologjike, fisnore, ose rrjetore.

Këta njerëz nuk e duan të vërtetën, duan vetëm të dënojnë këdo që guxon të jetë vetvetja…

Dhe më ironikja është se këta nuk e bëjnë këtë nga ndonjë mendim i kthjellët politik, por nga një ndjenjë e sëmurë e barazisë së rreme, e lindur nga iluzioni i tastierës.

Atyre u duket sikur vetëm sepse mund të komentojnë, janë të barabartë me njerëz që kanë shkruar libra, që kanë qëndruar përballë rrezikut, që kanë ngritur ide, që kanë menduar me dhimbje, që kanë ndërtuar jetë.

Ata shohin ekranin, dhe nuk shohin më përmasën reale të njeriut tjetër.

Shohin një profil, një status, një emër, dhe ndihen të barabartë.
Por jo, s’janë.

Sepse barazia është vlerë e shenjtë, por jo kur matet me injorancën.

Jo kur dikush që di vetëm 18 shkronja shkatërron një njeri që ka jetuar me peshën e të gjitha 36-shkronjave të gjuhës sonë.

Hannah Arendt thoshte se “banaliteti i së keqes” nuk vjen nga demonë, por nga njerëz të zakonshëm që nuk mendojnë për pasojat e veprimeve të tyre.

Dhe ky është rreziku më i madh i kohës sonë kur njerëz që nuk kanë më asnjë ndjeshmëri etike për fjalën, por e përdorin atë si një bombë me sahat, në një llogari false me emër të rremë dhe ndërgjegje të rrenuar.

Viktor Frankl, në “Njeriu në Kërkim të Kuptimit”, flet për “lirinë e brendshme” si e vetmja mënyrë për t’i mbijetuar botës së jashtme. Por këtu, në vendin tonë, njerëzit nuk kërkojnë më kuptim, kërkojnë vetëm qëllim të përkohshëm për të shpërthyer helm mbi të tjerët, dhe ta quajnë këtë “mendim”.

Ndoshta vota duhet të jepet 36 vjeç.
Që të kenë kohë të mësojnë që alfabeti ka 36 shkronja.

Jo për diskriminim. Jo për përjashtim.

Por sepse vota nuk është e drejtë biologjike. Është e drejtë morale, intelektuale dhe shpirtërore.

Vota nuk është pëlqim në rrjet.

Është një bekim për shoqërinë dhe një përgjegjësi para brezave të ardhshëm.

Por këta që janë sot shumica numerike, s’dinë të lexojnë as një faqe të bardhë, përveçse porosive që u vijnë nga shefat e partisë.

Nuk bëjnë dot dallimin mes një ideje dhe një urdhri.

Lexojnë vetëm mesazhe të parapërgatitura.

Reagojnë sipas fjalëve kyç.

Dhe vota e tyre, nuk është më zgjedhje, por pasojë e dresurës ideologjike.

Sepse po jetojmë në epokën kur e vërteta mbulohet me komente dhe demokracia bëhet një iluzion i pëlqimeve…

Njerëzit nuk duan më ta kuptojnë të vërtetën.

Duan ta deformojnë atë sipas konturit të turmës ku bëjnë pjesë.

Kemi hyrë në epokën ku shoqëria e ndjeshme është zëvendësuar me shoqërinë e klikimit, dhe qytetaria është zëvendësuar me rrjete shoqërore që shpërblejnë atë që shan më fort, jo atë që mendon më qartë.

Dhe në fund, kjo nuk është vetëm çështje alfabeti. Është çështje ekzistence.

Kur fjala nuk nderohet, kur mendimi nuk kultivohet, kur vota nuk peshohet, por lëshohet si gur në ujëra të turbullta, atëherë nuk kemi më qytetërim.

Kemi kaos me ndërfaqe moderne.

Kemi fjalë të ndritura në gojë të errësirës.

Kant thoshte se ndriçimi fillon kur njeriu del nga “mosha e miturisë” duke përdorur arsyen si udhërrëfyes personal.

Ne jetojmë në një kohë ku shumica nuk kanë dalë ende nga mosha e miturisë virtuale, dhe kanë ngelur të burgosur të alfabetit të urrejtjes, të logjikës së klanit, dhe të mosguximit për të menduar vetë.

Nëse duam të kemi qytetarë, duhet të mësojmë fëmijët tanë të lexojnë, jo të etiketojnë.

Deri atëherë, çdo e drejtë e dhënë pa vetëdije, është një armë që godet jo pushtetin, por shpresën.

Dhe çdo votë e dhënë nga padija, është një dorë që firmos skllavërinë e ardhshme të mendimit.

Në këtë vend, alfabeti është më i rëndësishëm se kartoni i votës.
Sepse vetëm kur fjala merr kuptim, vota bëhet shpresë.
Deri atëherë, vota e injorantit është mallkimi i të mençurit.
Dhe harresa e shkronjave është fillimi i fundin e një kombi.

Në këtë vend tonin, ku malet janë të vjetra por kujtesa e kombit është e rrëshqitshme si balta e çastit, kemi arritur një përparim të pazakontë, kemi mbërritur demokracinë përmes përçudnimit të alfabetit.
Po, kemi përfunduar në një paradoks kaq poetik sa do ta kishte zili edhe Kafka, dhe kaq absurd sa do e kishte patur frikë edhe Camus pasi jemi vendi ku e drejta e votës jepet në moshën 18 vjeç, por shumë nga votuesit dinë vetëm 18 shkronja të alfabetit.

Jo 36, siç është në të vërtetë alfabeti i gjuhës shqipe, por 18 shkronja të përtypura nga rrjetet sociale, me përmbajtje kryesisht të importuar nga portalet, komentet dhe urdhërat e kopjuar në ‘copy-paste’.

Ata mendojnë se që kur mbushin 18 vjeç, kanë të drejtë për gjithçka, pra të gjykojnë, të shajnë, të votojnë, të etiketojnë, të vendosin, të vulosin e të bëhen “popull”.

Por, ironikisht, kanë mbetur në gjysmën e alfabetit, dhe me atë gjysmë përpijnë çdo mendim të plotë, duke e tretur në batakun e shpifjes, mllefit dhe injorancës së stërvitur.

Kemi legalizuar një klasë të re qytetarësh, analfabetët funksionalë me të drejtë vote

Tani kemi një armatë njerëzish që e përdorin gjysmën e alfabetit, për të gjykuar ata që kanë përtypur të gjithë korpusin e mendimit njerëzor.

Ata që mendojnë me të gjitha shkronjat e shqipes, goditen nga ata që as vetë emrin e tyre nuk e dinë të shkruajnë drejt.

Shkronja “Ë” për ta është luks. “Ç” është e pavlerë. “Th”, “Gj” apo “Rr” janë mistere etimologjike.
Dhe ja ku kemi arritur në një demokraci të përmbysur, ku gjysmë-alfabeti sundon mendimin.

Nëse Platonit i takonte ëndrra e një republike të udhëhequr nga filozofë, neve na është ngjizur realiteti i një Republike të sunduar nga komentues virtualë, që ndihen të barabartë me çdo njeri që ka shkruar libra, ka mbrojtur ideale, ka djegur netë për të kërkuar të vërtetën.

Dhe si e arrijnë këtë barazi?
Thjesht, duke përdorur tastierën si levë për të çuar poshtë çdo gjë që nuk e kuptojnë.

Rousseau do të kishte vdekur sërish në Shqipëri, por këtë herë nga zhgënjimi

E gjithë doktrina e tij për “vullnetin e përgjithshëm” kërkonte një popull të ndriçuar, me vetëdije.

Por nëse vullneti i përgjithshëm është ndërtuar mbi komentues që dinë vetëm gjysmën e alfabetit, atëherë kemi përfunduar në një tirani të përbashkët të padijes.

Arendt do ta quante “banaliteti i së keqes”, por këtu nuk është thjesht banalitet, është një celebrim masiv i padijes.

Një festim kombëtar i ligësisë së paditur.

Një triumf i padijes përmbi arsyen.

Dhe e gjithë kjo bëhet në emër të “lirisë së fjalës”, kur në të vërtetë është pushtimi i mendimit nga mediokriteti i sistemuar.

Votuesit me 18 shkronja, janë si ushtarë me një armë që nuk dinë ta përdorin

Ata kanë të drejtën të votojnë, por nuk dinë çfarë është politika, çfarë është përfaqësimi, çfarë është alternativa.

E gjithë politika e tyre është ndërtuar mbi mesazhe që u vijnë në grupe WhatsApp-i, ose në një status të kopjuar nga një militant digjital.

John Stuart Mill, në “On Liberty”, paralajmëronte se liria pa arsimim është tirani e turmës mbi mendimin.

Ne jemi pikërisht aty ku turma ka fituar të drejtën për të bërë ligj, por e përdor atë për të djegur çdo kundërzë.

Në këtë kaos alfanumerik, votuesit që njohin vetëm 18 shkronja i kthejnë zgjedhjet në referendume të hakmarrjes personale, ku urrejtja është ideologji, e injoranca është kartë krediti për të hyrë në qendrat e votimit.

Ironia finale vjen kur këta njerëz s’dinë se janë të paditur, dhe kjo është fuqia e tyre më e rrezikshme

Ashtu siç thoshte Sokrati: “Unë di vetëm një gjë, që nuk di asgjë.”

Por këta tanët janë përkundrazi të mbushur me bindjen se dinë gjithçka, edhe kur nuk kanë lexuar as një artikull të plotë në jetë.

E për këtë arsye, bëhen armata e re e drejtësisë popullore digjitale, që vendos kush është i ndershëm dhe kush është “i blerë”.

Kush është “i yni” dhe kush është “armik”.

Kush duhet “nxjerrë nga faqja” dhe kush “duhet nxjerrë nga jeta”.

Gjithçka, me një gjysmë-alfabet.

Sigurisht që zgjidhja nuk është të ndalosh votën.

Por të ndërtosh qytetarin përpara se të mbushë 18 vjeç

Duhet një revolucion i arsimit që nuk mëson vetëm emrat e heronjve, por formon qytetarin që kupton përse një ide është më shumë se një emër.

Qytetarin që di të shkruajë një mendim pa urrejtje.

Qytetarin që nuk sheh ekranin si një fushëbetejë, por si një mundësi për të rritur veten.

Qytetarin që kupton se një alfabet është një kod i shenjtë, dhe se çdo fjalë e thënë me zell injorant, është një grusht mbi shpresën e një kombi.

Midis 18 vjeçarëve dhe 18 shkronjave, kemi humbur gjysmën e njeriut.

Në këtë vend, vota është dhënë me moshë, por jo me mend.

Dhe gjysma e alfabetit është bërë mjeti i ri i gjykimit kolektiv.

Ndaj, ndoshta nuk është keq të shtrohet pyetja, vota pas 18 vjeç apo vetëm pas njohjes së 36 shkronjave?

Sepse një njeri që njeh vetëm 18 shkronja, s’mund të gjykojë dot një ide që është shkruar me të gjitha.

Sepse një popull që mendon me gjysma, e sheh të vërtetën si të tepërt.

Dhe sepse një vend që i jep të drejtën për të ndërtuar atij që s’din të lexojë, është një vend që po e ndërton shkatërrimin e vet me fjalët e veta.