Ballina Bota Protesta në SHBA kundër politikave të Trump/ Qytetarët në rrugë për emigracionin,...

Protesta në SHBA kundër politikave të Trump/ Qytetarët në rrugë për emigracionin, luftërat dhe shkarkimet nga puna

23
0

Mijëra protestues u mblodhën ditën e djeshme në Uashington dhe në qytete të tjera të Shteteve të Bashkuara për të shprehur pakënaqësinë ndaj politikave të Presidentit Donald Trump. Të fokusuar kryesisht në çështje si deportimet, pushimet masive nga puna në administratën federale dhe qëndrimet në lidhje me luftërat në Gaza dhe Ukrainë, protestuesit u ngritën me pankarta dhe thirrje të forta për drejtësi.

Në qendër të Uashingtonit, përballë Shtëpisë së Bardhë, qytetarë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë protestuan me pankarta ku lexohej: “Punëtorët duhet të kenë pushtetin”, “Jo mbretërimit”, “Ndalo armatosjen e Izraelit” dhe “Proces i rregullt ligjor”.

Një pjesë e protestuesve dolën në mbështetje të emigrantëve që administrata Trump ka deportuar ose tenton të deportojë. Ata shprehën gjithashtu solidaritet me punonjësit e pushuar nga institucionet federale dhe me universitetet që, për shkak të politikave të reja, mund të humbasin fondet shtetërore.

“Ndërkohë që Trump dhe administrata e tij aktivizojnë makinerinë e deportimit, ne do të organizojmë rrjete dhe forma rezistence për të mbrojtur fqinjët tanë”, tha një protestues gjatë tubimit pranë Shtëpisë së Bardhë.

Një tjetër segment i protestës mbajti flamuj palestinezë dhe shallë keffiyeh, duke kërkuar “Liri për Palestinën” dhe duke nderuar viktimat e luftës në Gaza. Në të njëjtën kohë, nuk munguan edhe ata që i kërkonin qeverisë amerikane një qëndrim më të vendosur ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Sipas raportimeve, protestuesit shprehën shqetësimin e tyre edhe për dobësimin e strukturave të qeverisë federale. Prej marrjes së mandatit në janar, Presidenti Trump, në bashkëpunim me Elon Musk, ka pushuar nga puna mbi 200 mijë punonjës dhe ka ndërmarrë hapa për të shpërbërë disa agjenci shtetërore, duke ngjallur reagime të forta në opinionin publik.