Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) ka publikur raportin vjetor për vitin 2024, (dorëzuar ne Kuvend ne 4/04/2025) një pasqyrë e thelluar e veprimtarisë institucionale në shërbim të transparencës, edukimit qytetar dhe përballjes me të kaluarën komuniste.
Vendosja e regjimit komunist në Shqipëri (1944-1991) la pasoja të thella tek individët dhe shoqëria, duke lënë pas një trashëgimi të dhimbshme të persekutimeve, zhdukjeve të detyruara, ndëshkimeve politike dhe një propagande që synonte fshirjen e së vërtetës. Arkivi që trashëgojmë nga veprimtaria e Ish- Sigurimit të Shtetit është arkivi i një aparati dhune, i cili shërbeu si instrument shtypjeje, frikësimi dhe përndjekjeje në diktaturën komuniste.
Në raport do të lexoni për se si në përputhje me rezolutat europiane dhe shqiptare për dënimin e krimeve të komunizmit dhe në mbrojtje të vlerave demokratike, të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, Autoriteti vijon punën e për informimin me transparecë dhe me një strategji të qartë edukuese në inciativa që synojnë të ndriçojnë të vërtetat e fshehura dhe të rikuperojnë dinjitetin e viktimave.
• Digjitalizimi dhe deklasifikimi i dokumenteve arriti shifra rekord:
17,303 dosje me 1,096,699 faqe janë përpunuar vetëm në vitin 2024.
o Në total, janë 23,663 njësi arkivore të aksesueshme për studiuesit dhe qytetarët.
• Informimi:
o 3,701 kërkesa individuale të mbërritura që nga themelimi; 96% e tyre janë trajtuar dhe mbyllur.
o 263 kandidatë janë verifikuar për pastërtinë e figurës, prej të cilëve 25 rezultojnë të lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit.
• Rritje e pranisë publike:
– 44 njoftime për shtyp dhe mbi 500 postime në rrjetet sociale.
o Mediat kryesore në vend kanë ndjekur nga afër aktivitetet e Autoritetit, nga intervistat me drejtuesit te raportimet për gjetjet në terren.
Zbardhja e zhdukjeve gjatë diktaturës:
• 6 vendvarrime të reja të personave të zhdukur u identifikuan në vitin 2024, duke e çuar numrin total në 11 vendvarrime për periudhën 2022–2024.
• Janë në proces 6 hetime administrative për raste zhdukjesh, përfshirë rastin e “sabotatorëve në naftë”.
• Në total, janë trajtuar 280 kërkesa nga familjarët dhe janë grumbulluar dëshmi të reja.
• Bashkëpunimi me ICMP është forcuar, por mungesa e angazhimit nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë ka ngadalësuar gërmimet dhe miratimin e një vendimi qeveritar të rëndësishëm.
• Edukimi qytetar dhe sfidat në kujtesën historike:
• Janë botuar libra për fëmijë dhe të rinj, si “Dielli lind në Spaç” dhe “Kufij të thyer” – tashmë të miratuar për përdorim shkollor në 2025.
• Klubi i Librit “Mësojmë nga e Kaluara” ka përfshirë 346 pjesëmarrës në qytete të ndryshme.
• Ekspozitat dhe simpoziumet e vitit 2024 kanë trajtuar temat si përsekutimi në ekonomi, inxhinierët e naftës dhe burgosjet në Porto-Palermo.
• Kërkesa studimore dhe mediatike të trajtuara:
65 kërkesa, 80,474 faqe të përpunuara nga të cilat 27,248 faqe të anonimizuara të cilat kanë shërbyer edhe ndërtimin të 4 aktivitete tematike, përfshirë simpoziumin për sabotatorët në ekonomi dhe ekspozitën në Porto-Palermo.
• Zhvillim i Mediatekës – platformë online për studiuesit dhe qytetarët:
• 30 dosje të përzgjedhura dhe përpunuara për publikim, me qëllim funksionalizimin e platformës gjatë vitit 2025.
Sfidat dhe problematikat:
• Vetëm 26% e bashkive kanë zbatuar detyrimin për të kërkuar verifikim para dhënies së titujve nderi apo emërtimeve publike edhe pse Autoriteti ka komunikuar me të 61 bashkitë në vend,
• Janë trajtuar 263 kërkesa për verifikim. Pavarësisht kërkesave zyrtare, nuk është realizuar ende ndryshimi i Kodit Zgjedhor për të siguruar verifikimin e detyrueshëm të kandidatëve për poste publike.
• Vijon komunikimi per 13 zyrtarë në institucione kyçe që kanë pasur certifikata nga komisionet “Bezhani” dhe “Mezini
• Procesi i verifikimit të figurave dhe identifikimit të të zhdukurve ende përballet me mungesën e bashkëpunimit të plotë nga disa institucione.
• Nga parlamenti kërkohen ndryshime në ligjet për titujt e nderit dhe pastërtinë e figurës për personat që ushtrojnë funksione publike si dhe shtimi i cilësive të ndihmës prokurorit dhe gjyqtarit në proceset penale politike.
• Rishikimi i ligjit nr. 9831/2007 për njohjen e internimit dhe dëmshpërblimin financiar për personat e prekur përmes përmirësimi i kuadrit ligjor për të lindurit dhe të miturit në internim, rritjen e dëmshpërblimit për familjarët e viktimave, krijimi i pagesës fikse mujore për punën e detyruar të ish-të përndjekurve.