Ballina Aktualitet Dulaku dhe Arbër Abazi tërhiqen nga Kulla e Kadastrës, KISH anulon garën

Dulaku dhe Arbër Abazi tërhiqen nga Kulla e Kadastrës, KISH anulon garën

37
0

Pas një procedure të hapur fillimisht që në nëntor të vitit të kaluar, pas disa shtyrjeve, atëherë kur u duk se do të shpallej fituesi, Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC) është detyruar të anullojë procedurën për ndërtimin e “Lift Tower”, ose siç njihet ndryshe “Kulla e Kadastrës”. Arsyeja e anulimit, në dokumentin e konsultuar nga ekofin.al, “është mosparaqitja e një oferte nga asnjëri prej aplikantëve që ishin kualifikuar në fazën e dytë”.

Sipas dokumenteve, në fazën finale, në garë ishin dy kompani “Alko Impex”, në pronësi të Arbër Abazit, nipi i ish-deputetit Sadri Abazi dhe kompania e njohur e ndërtimit “Edil Al”, në pronësi të vëllezërve Dulaku.

Sipas kërkesave të shpallura nga AIC, kompania fituese do të ndërtonte kulla në zonën e 21-dhjetorit, në vendin ku aktualisht janë godinat e Agjencisë së Trajtimit të Pronave dhe Inspektoriatit Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit. Gjithashtu, pjesë e projektit është edhe një pjesë e Inxhinierisë së Ndërtimit.

Por, megjithëse kishin marrë pjesë edhe në takimin informuese, përpara dorëzimit të ofertave, asnjëra nga kompanitë e kualifikuara, nuk kanë dorëzuar një të tillë brenda afateve të shpallura nga AIC, duke e detyruar këtë të fundit për ta anuluar procedurën. Tashmë pritet që ajo të rihapet, por nuk dihet nëse do të ndryshojnë apo jo kriteret dhe kërkesat.

Sipas projektit, pritet që të realizohen tre kulla, ngjitur me njëra tjetrën, të cilat gjithashtu kombinojnë me njëra-tjetrën dhe që parashikohet të jenë 40 kate të larta. Projekti realizohet nëpërmjet një modeli partneriteti. Pritet që Kadastra të marrë një përqindje ndërtimi, ndërkohë që pjesa tjetër do t’i jepet privatit./ekofin.al