Ballina Ekonomia Frika nga pesticidet falimenton masivisht fermerët e luleshtrydheve në Fier

Frika nga pesticidet falimenton masivisht fermerët e luleshtrydheve në Fier

41
0

Prodhuesit e lueshtrydheve në rajonin e Fierit po hedhin sasira të mëdha prodhimi në rrugë, në pamundësi për t’i shitur për shkak të rënies së ndjeshme të çmimeve dhe tkurrjes së kërkesës.

Që kur u bë publik lajmi se një ngarkesë me luleshtrydhe nga Greqia përmbante sasi të lartë pesticidesh nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, fermerët thonë se besimi i konsumatorëve tek ky produkt është lëkundur dhe kërkesa në tregun e brendshëm ka rënë në mënyrë dramatike, pavarësisht se ata kanë të gjitha çertifikimet e nevojshme organike.

Në Frakull të Fierit, fermerët protestuan publikisht duke hedhur tonelata me luleshtrydhe të pashitura në mënyrë demonstrative si dhe duke shprehur frustrimin se po penalizohen padrejtësisht. “Produkti ynë është i sigurtë- thonë ata- por konsumatorët janë trembur nga lajmet për një ngarkesë të vogël importi.

Për shumë fermerë të Fierit, kultivimi i luleshtrydheve është burimi kryesor i të ardhurave. Kur çmimet bien më poshtë se kostoja e prodhimit, kultivimi bëhet i pamundur. Shumë fermerë kanë ndalur tërësisht punën për të parandaluar humbje të mëtejshme” thotë Pëllumb Qosej, një konsulent SME-të dhe promovimin e eksporteve.

Fermerët kërkojnë një trajtim të ndershëm dhe mbështetje më të madhe nga institucionet duke e vënë theksin tek mungesa e mbikqyrjes së importeve dhe mungesa e masave mbrojtëse për prodhimin vendas.

Në qarkun e Fierit ka rreth 250 hektarë të mbjella me luleshtrydhe, por tani prodhuesit e tyre po përballen me kolapsin e tregut dhe një situatë të vështirë në një sektor që ka qenë gjithmonë sfidues.

Pas tërheqjes nga tregu të një sasie greke luleshtrydhes, raportime të tjera për importet e pasigurta nga Greqia, kanë minuar besimin e publikut tek produkti i luleshtrydheve. Tashmë konsumatorët janë duke shmangur konsumin e luleshtrydheve, pavarësisht origjinës së tyre.