Ballina Aktualitet “Sterilizimi”/ Shtyhet sërish seanca në GJKKO për Ilir Beqajn, zbulohet arsyeja

“Sterilizimi”/ Shtyhet sërish seanca në GJKKO për Ilir Beqajn, zbulohet arsyeja

0
9

Gjykata e Posaçme ka shtyrë për datën 7 maj seancën për “Sterilizimin”. Mësohet se në sallë nuk ishte i pranishëm ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe as avokati i tij, Ermal Yzeiraj. Bëhet me dije se Beqaj paraqiti një deklaratë ku nuk mund të merrte pjesë për shkak të gjendjes shëndetësore, ku bashkëngjitur administroi edhe një recetë të mjekimeve që po merr në qeli. Në deklaratën e dërguar gjykatës së Posaçme, Beqaj kërkonte që seanca të mos zhvillohej pa praninë e tij.

Ish-ministri, Ilir Beqaj është i pandehur për dosjen e koncesionit të sterilizimit, ndërsa më 18 mars iu komunikua edhe akuza shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim. Ndaj Beqajt rëndojnë akuzat “Shpërdorim detyre”, e kryer në bashkëpunim.

Hetimi SPAK është kryer për koncesionin “shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, në kohën kur Beqaj drejtonte ministrinë e Bujqësisë.

Për sterilizimin janë marrë të pandehur edhe 8 të tjerë, mes tyre ish-zv-ministri Klodian Rrjepaj dhe përfituesi i Koncesionit Ilir Rrapaj të dy në pranga që prej gushtit të vitit të kaluar. Në gjykim do të shkojnë edhe 6 ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të koncesionit të sterilizimit.