Ballina Kulturë Filmi i ri i regjisorit Ylli Pepo, një trokitje princërore në Europë!...

Filmi i ri i regjisorit Ylli Pepo, një trokitje princërore në Europë! “Një princeshë europiane…”, i kushtohet mbretëreshës së parë të Arbërisë, Donika Kastrioti

17
0

Nga Valentina Hysi

Mund ta themi me bindje që në fillim, se premiera e filmit dokumentar “Një princeshë europiane…” kushtuar mbretëreshës së parë të Arbërisë, Donika Kastriotit ishte një ndër eventet më të rëndësishëm kulturorë të vitit. Jo vetëm për temën që trajton, por më shumë për tingëllimin tepër actual,(edhe pse tregohen ngjarje e personazhe të pesë shekujve me parë) si edhe për nivelin e lartë profesional e artistik, që tashmë është e mbetet e pandarë në krijimtarinë e regjisorit tonë të njohur Ylli Pepo.

E kjo ndodh me të gjithë komponentët: që nga skenari tepër origjinal i Martin Cukallës, kamera e Xhemal Reçit, montazhi i Gjergji Panos e deri tek rrëfimi i tekstit nga Sokol Angjeli, Genc Ymeraj e Ermal Bardhi apo interpretimi plot sharm i Daniela Sulkos e puna e palodhur e producentes së re Ajola Daja. Filmi është mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, e cila kohët e fundit po kujdeset e po i kushton vëmendje të veçantë zgjedhjes e trajtimit të temave të reja, jo me gjëra të thëna e të stërthëna në kanalet e shumtë televizivë. Shembull konkret është filmi për të cilin po flasim, me një subjekt dhe personazh të patrajtuar kurrë me parë në kinemanë dhe televizionet tona.

Gratë e shquara dhe Donika jonë

Gjatë shekujve në letërsi dhe në arte bota femërore është më e spikatura dhe më e bukura e, njëkohësisht edhe më enigmatikja e më misteriozja. Si në botën reale ashtu edhe në atë fiksionale (letërsi, pikturë, muzikë, kinematografi) gratë janë dominante, të paharruara, të dashura apo të urryera.

Ato zotërojnë magjinë e të bërit për vete. Ndoshta nga kjo ka ardhur edhe e thëna: “Mbrapa një burri të suksesshëm, është gjithmonë një grua e mençur dhe e zonja” Mjaft të përmendim disa, si: Helena e Trojës, që vjen qysh nga agu i letërsisë, apo Beatriçja e Dantes, Madam Bovari, Ledi Makbeth, Ana Karenina apo nga jeta reale Katerina Parr, Zhanë D’ Ark, Maria Antonieta, Anita Garibaldi, Katerina e dytë e Rusisë e shumë të tjera.

Por për fat të keq, aq sa ka të njohura, po aq, në mos më shumë, ka gra të panjohura. Ndër to është edhe Andronika ose Donika, gruaja e Skënderbeut, Heroit Kombëtar të Shqipërisë, shpallur nga Papa Kalisti i V “Atlet i Krishtërimit”

Ndërsa për këtë hero janë shkruar mbi 1500 vepra letrare, pothuaj në të gjitha gjuhët e Europës, për gruan e tij që ka pasur një jetë plot peripeci, enigma e të papritura, duhet të kërkosh me lente zmadhuese ndonjë rresht mes mijëra fletësh të shtypura. Pikërisht prandaj, ka vlerë të madhe kjo iniciativë e ndërmarrë nga Martin Cukalla dhe Ylli Pepo.

E në këtë kuadër kontribut të madh ka dhënë Prof. Xhanfranko Valone, i cili me intervistën e tij zë një vend të veçantë në film. Po kështu edhe studiuesi e profesori i Universitetit të Valencias në Spanjë Daniel Georlich. Por jo vetëm këta: janë në film edhe mjaft studiues të tjerë nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi si Akademiku Pëllumb Xhufi, Prof. Gjon Berisha, Mark Joncaj etj..

Në oborret mbretërorë më të rëndësishëm të Evropës

Autorët e filmit i kanë hyrë një pune me ambicie dhe pretendime të veçanta për të nxjerrë në pah jetën, historinë e vlerat e Donika Kastriotit duke i dhënë vendin që meriton në historinë e Shqipërisë por edhe më gjere.

E them “edhe më gjerë” sepse nuk është e rastit afrimi dhe qëndrimi i gjatë me familjen mbretërore Aragoneze të Napolit e më pas të Spanjës. Kuptohet lehte se mbreti, e veçanërisht mbretëreshat spanjolle, zbuluan e gjetën vlera të veçanta tek ajo. E këto vlera janë përpjekur t’i zbulojnë edhe autorët. Për këtë janë bërë filmime në Shqipëri, në të gjitha vendet ku ka shkelur këmba e saj, por edhe në Napoli e Salento të Italisë e më pas në Spanjë në Manastirin ku është varrosur e në arkivat e Valencias.

Regjisori i madh Italian Vitorio De Sica, fitues i katër çmimeve Oskar, më shumë se çdo kineast tjetër në botë, ka thënë: ..”Nuk ka filma të mirë dhe filma të këqij, ka vetëm filma të dobishëm dhe të padobishëm..”.

“Një princeshë europiane…” është një film shumë i dobishëm në njohjen më thellë të historisë e te shkuarës sonë thellësisht europiane me figura të shquara që kanë dhënë shumë për kontinentin tonë të vjetër.

VLERA TË VEÇANTA EUROPIANE

Gruaja e Skënderbeut e ka pasur fatin të njëjtë me shumë bashkëshorte të tjera njerëzish të famshëm: është eklipsuar prej lavdisë së Gjergjit. Figura e Donika Kastriotit është mbajtur në hije dhe koha e ka zbehur, por jo harruar. Dimensionet historike të saj dhe vlerat e spikatura që ka mbartur i kanë zvogëluar shekujt padrejtësisht dhe nga moskujdesja jonë kombëtare. Duhet kuptuar natyra e saj si një zonjë e lartë dhe shëmbëlltyrë e modestisë së shqiptares që i dedikohet bashkëshortit dhe familjes. Nuk mund të përjashtohet Donika Kastrioti nga administrimi i Epirit të Skënderbeut në periudhat kur kryetrimi shqiptar ishte në fushat e betejave.

Realizimi i dokumentarit për Donika Kastriotin është sot një detyrë e veçantë, që përkon me frymën aktuale të perlindjes europiane të shqiptarëve, frymë të cilën ajo grua e pati organikisht të mishëruar në gjithë jetën e saj.

Skenderbega, siç thirrej në oborret e mëdha mbretërore europiane, është konsideruar një nga gratë evropiane me madhështore të shekullit të XV-të.

Donika Kastrioti, kjo zonjë e madhe e Arbërisë ishte e aftë dhe zuri vend të merituar në elitën e mbretërisë aragonezenjë nga më të fuqishmet e kohës, u respektua nga Papa i Romës dhe Republika e Venetikut dhe mbështeti, emigrimin pas Skënderbeut, të arbërve në Itali. E dashuruar me virtytin, lindi, rriti dhe bëri luftëtar të atdheut, Gjonin II dhe më pas u përkujdes për linjën e pasardhësve të Gjergj Kastriotit.

E rrallë ishte bukuria e saj, por jetën e harxhoi për të bërë të pavdekshme lavdinë e bashkëshortit të vet, për të dhënë mirësi në të gjithë pamjet e veta dhe për të ndihmuar të mirën për të cilën kishte nevojë populli i saj.

Në Gravuren e realizuar në vitin 1596 nga Johann Theodor de Bry shkruhet:

“Aq e madhe është merita tënde, që i dhe aq famë Burrit tënd, ashtu si Deidamia i dha Burrit të saj!”

Deidamia ishte bashkëshorte e Akilit të lashtësisë.