Ballina Politika “Rama është futur në rreth të kuq” – Berisha në Kurbin: Majlinda...

“Rama është futur në rreth të kuq” – Berisha në Kurbin: Majlinda bashkë me Sakon e Durrësit do të shkoni tek Erion Veliaj…

33
0

Nga Kurbini, kreu i PD, Sali Berisha, ka sulmuar kryetaren e bashkisë Majlinda Cara e cila sipas tij, do të shkarkohet menjëherë, me ardhjen në pushtet të PD më 12 maj.

Berisha tha se Majlinda bashkë me Sakon e Durrësit do ti bashkohen kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në burg, për abuzimet që kanë bërë me fondet e bashkisë.

“Largimi i shërbimeve nga ju është gjobitje për ju. Ajo që do të shkarkohet menjëherë, Majlinda (Kryetarja e bashkisë) i them këtu para jush do të duhet të punojë ose të ketë vite burgu të paktën 30 vjet, që paguan për ata që janë në Spanjë, Dubai dhe i merr paratë e i ndan me të tjerë. Majlinda bashkë me Sakon e Durrësit do të shkoni tek Erion Veliaj, aty e keni vendin”, tha Berisha.

Sali Berisha:

Përshëndetjet më të përzemërta, njishat e Kurbinit, njishat e Shqipërisë. Njishi është numri i perëndisë, është numri i fitores, numri i dritës dhe i diellit. Rrofshi ju, rroftë Kurbini, rroftë Shqipëria.

E nderuara zonja Erika Mazeti, parlamentare e Forza Italia-s në parlamentin italian.

Një mirënjohje të pakufishme ndaj jush, Forza Italia-s dhe Italisë mike për praninë tuaj, mbështetjen për opozitën shqiptare në këtë betejë, në të cilën do përmbysë diktaturën e vetme dhe të parë, të bazuar në drogën dhe krimin në Europë, narkodiktaturën e Edi Ramës.

Miqësia dhe bashkëpunimi tradicional i PD me Forza Italia daton që në themelimin e saj, nga i pavdekshmi, italiani më i madh i kohërave, Silvio Berluskoni, mik i shquar i kombit shqiptar.

Dhe sot prania juaj e nderuara Mazeti është dëshmi e vazhdimit të kësaj miqësie dhe bashkëpunimi në interesin më të madh të dy forcave tona politike dhe të dy vendeve mike.

Të dashur qytetare dhe qytetarë të Kurbinit, qytetare dhe qytetarë të fitores, sot në të katër anët e Shqipërisë, në sytë dhe zemrat e shqiptarëve shndrit fitorja e 11 Majit.

Sot ne jemi më afër se kurrë fitores për të cilën luftuam 12 vite, fitores për të cilën qëndruam të pamposhtur, fitores për të cilën sakrifikuam dhe ja ku jemi sot, më të vendosur se kurrë, më të sigurt se kurrë, të firmosim fitoren më 11 Maj.

Edi Rama, po numëron orët dhe ditët e fundit të regjimit të tij. Edi Rama nuk ka të ardhme dhe u garantoj ju se edhe prapa diellit po të shkojë, do ta gjejmë dhe do ta mundim. Nuk ka shpresë për të më!

Ndaj dhe çfarëdo që të bësh, sado që të fshihesh, je tërësisht i pashpresë. Do kesh fundin e çdo diktatori, fundin e merituar të atyre që u shndërruan në të keqen e kombit të vet.

Ai kalon nga sheshi, nga takimi në takimi, me zyrtarët e tij të mbledhur me firmë, pa takuar kurrë në tre muaj rresht, një ditë të vetme 10 apo 20 qytetarë të lirë sepse edhe një i lirë kur ndodhet në takimin e tij, i përvishet me guxim dhe shfazon. Edi Rama u ka bërë të këqija të mëdha shqiptarëve.

Miqtë e mi, jam këtu në Kurbin, qytet që me 26 nëntor të vitit 2019 përjetoi një katastrofë natyrore të madhe. Sot pas 6 vitesh nga qeveria shqiptare pothuajse nuk është bërë asgjë.

U ndërtuan apartamentet nga qeveria turke dhe unë e falënderoj me mirënjohje, po sot mbi 200 familja qëndrojnë në çadra dhe jo në banesat e tyre. Sot një seri pallatesh sërish janë jashtë çdo standardi.

Edi Rama nuk e ka mendjen të zgjidhë problemet e qytetarëve të Kurbinit, qytetarëve të Durrësit, qytetarëve të Shqipërisë që pësuan një tronditje të madhe, por e ka mendjen se si të pasurohet, si të fryjë më shumë kontot e tij bankare.

Miq, në shtator të vitit 2019 ndodhi një tërmet që pothuajse thërrmoi pallatet në Thumanë. Qytetarët e Thumanës u lanë në pallate të pabanueshme gjersa tërmeti tjetër u mori jetën dhe sot nuk ka asnjë përgjegjës.

Askush sepse të gjithë ata ishin klani i Edi Ramës, ministrat e Edi Ramës, zyrtarët e Edi Ramës.

Miqtë e mi, jam këtu për t’u zotuar para jush se vitin e parë do përmbyllen të gjithë plagët e krijuara nga tërmeti në këtë qytet dhe në të gjithë territorin e zonës së tij. Pa përjashtim!

Jam këtu për t’u zotuar para jush se Kurbinit dhe çdo rrethi tjetër në Shqipëri do i rikthehen të gjitha institucionet siç i kanë pasur para reformës famëzezë të Edi Ramës. Që të gjitha, me gjykata dhe prokurori, që të gjitha pa përjashtim. Miq, largimi i shërbimeve nga ju është gjobë për ju. Kjo merr fund.

Ajo që do shkarkohet menjëherë është Majlinda. Bëhu gati. Dhe i them këtu para jush se do të duhet të punojë ose të ketë vite burgu të paktën 30 vjet për rrogat që paguan për ata që janë në Spanjë, që janë në Dubai, dhe që i merr paratë dhe i ndaj me të tjerët, të gjitha taksat tuaja.

Ndaj edhe Majlinda bashkë me Sakon e Durrësit dhe të tjerë, do shkoni tek Erion Veliaj, atje e keni vendin. Miqtë e mi, qytetarë të fitores, kjo energji, kjo entuziazëm rrezaton fuqishëm në mbarë Shqipërinë.

Fitorja është në duart tona, ndaj këto 9 ditë që kanë mbetur, ta bëjmë natën ditë. Të takojmë çdo të njohur, t’i telefonojmë çdo miku që të bashkohemi me 11 Maj në votën e fitores.

U garantoj ju, garantoj çdo qytetar të këtij rrethi se programi nuk është program partiak. Se ky program nuk synon pushtetin e Sali Berishës.

Por ky program synon t’u kthejë paratë e taksave çdo shqiptari, demokrat, socialist, pa parti, çfarëdo që të jetë ai. Ky program ka për qëllim të krijojë mundësi të re për çdo qytetar të Kurbinit, pavarësisht bindjeve të tij politike. Një mundësi të re për punësim, për pagë më të mirë, për jetesë më të mirë dhe jetë më të sigurt.

Ndaj dhe ne në parimin t’u kthejmë paratë qytetarëve, 100 ditët e para do vendosim pensionin minimal 200 euro. Minimumin jetik 200 euro. 560 mijë pensionistë që marrin sot nën 172 euro, do të marrin 200 euro.

200 euro të marrin dhjetëra mijëra qytetarë që janë në ndihim ekonomike, do marrin qytetarët e papunë, do marrin fëmijët me një prind, do marrin studentët me bursë. Jo vetëm kaq. 500 euro do marrin rrogëulëtit.

Dhe të gjithë rrogëulëtit, të gjithë pensionistët, të gjithë qytetarët me minimumin jetik do marrin ushqimet me një çmim 20 përqind më të ulët se të tjerët. Karta e konsumatorit u garanton atyre rikthimin e TVSH-së 450 euro në vit.

Paratë qytetarit nënkupton që qeveria kur të ndajë buxhetin, në çdo buxhet më së pari të ndajë paratë për rrogat dhe pensionet, për ata që janë ndihmë ekonomike.

Nuk do ketë më pensionist, nuk do ketë më shqiptar që do qajë me lot të ftohta mjerimi për kafshatën, për ilaçet, për qiranë. Jo, jo, do ketë një ndarje krejt tjetër të të ardhurave.

Edi Rama pensionet i la pothuajse aty ku ishin. Rrogat e larta i trefishoi, i pesëfishoi. Shqipëria është i vetmi vend në botë ku një nëpunës i lartë merr sa 50 pensionistë. Nuk ka asgjë më çnjerëzore se kjo. Merr fund.

Rrogat e larta mbeten aty, do rriten rrogat e ulëta dhe të mesme. Rrogat e mesme do jenë 1250 euro, të ulëtat do jenë 500 dhe do rriten vazhdimisht gjersa shqiptarët të paguhen më mirë se të gjithë qytetarët e tjerë të Ballkanit. Shqipëria është vendi më i pasur dhe ju e meritoni pagesën.