Ballina Lifestyle U akuzua për abuzim seksual – gjykata jep vendimin për aktorin e...

U akuzua për abuzim seksual – gjykata jep vendimin për aktorin e njohur

48
0

Russell Brand, aktori dhe komediani i njohur britanik, është paraqitur këtë të enjte në Gjykatën e Magjistraturës në Westminster, ku u përball me disa akuza të rënda për abuzim seksual. Brand, 49 vjeç, u lirua me kusht, ndërsa seanca e radhës është caktuar për më 30 maj.

Sipas autoriteteve britanike, ndaj tij rëndojnë një akuzë për përdhunim, një akuzë për përdhunim oral, një për sulm të pahijshëm dhe dy akuza të tjera për sulm seksual, që lidhen me katër gra të ndryshme.

Aktori nuk bëri asnjë deklaratë për mediat gjatë mbërritjes në gjykatë, pavarësisht pranishmërisë masive të kamerave dhe oficerëve të policisë. Ai u pa duke kaluar me vështirësi drejt godinës së gjykatës, i rrethuar nga turmat dhe mediat.

Gjatë seancës dëgjimore 12-minutëshe, Brand konfirmoi identitetin dhe adresën e tij dhe shprehu mirëkuptimin për kushtet e vendosura për lirimin e tij. Akuza ndaj tij përfshijnë ngjarje ku ai dyshohet se ka prekur në mënyrë të pahijshme një grua në gjoks dhe një tjetër e ka zvarritur drejt një tualeti për meshkuj.

Brand i ka mohuar akuzat në një video të publikuar më parë, duke thënë se “nuk është përfshirë kurrë në marrëdhënie pa pëlqimin e palëve të tjera”, dhe ka shtuar se mirëpret mundësinë për t’u përballur me drejtësinë.

Kujtojmë që rasti kundër tij erdhi pas një hetimi të përbashkët nga Sunday Times, Times dhe Channel 4 Dispatches, të cilat në shtator 2023 publikuan dëshmi tronditëse të disa grave që pretendonin se ishin abuzuar nga Brand gjatë viteve të karrierës së tij.

Russell Brand u bë i famshëm në fillim të viteve 2000 me performanca stand-up, më pas si prezantues i emisionit Big Brother’s Big Mouth, dhe ka qenë fytyrë e njohur në evente të mëdha si çmimet MTV, Brit Awards dhe koncertet Live Earth. Ai ka qenë gjithashtu një zë i spikatur në BBC Radio dhe autor i disa librave autobiografikë.