Pesë persona janë shpëtuar pasi kaluan 36 orë në majë të një avioni në një moçal të mbushur me aligatorë në Amazonë pas një përplasjeje avioni, thanë autoritetet e Bolivisë.
Avioni i vogël u gjet nga peshkatarët vendas pasi ishte zhdukur për 48 orë, shkruan BBC.
U shpëtuan tri gra, një fëmijë dhe piloti 29-vjeçar, të cilët sipas drejtorit të qendrës së operacioneve emergjente në repartin Beni, Wilson Avila, ishin në “gjendje të shkëlqyer”.
Kërkimi për aeroplanin u nis të enjten, pasi u zhduk nga radarët në Bolivinë qendrore.
Piloti tha për mediat se për shkak të dështimit të motorit, aeroplanit iu desh të bënte një ulje emergjente pranë lumit Itanomas.
Zyrtarët thanë se pesë pasagjerë kaluan orë të tëra në majë të avionit, të rrethuar nga aligatorë që erdhën brenda tri metrave.
Piloti besonte se një rrjedhje karburanti nga avioni i kishte penguar aligatorët t’u afroheshin atyre.
Pasi peshkatarët gjetën avionin, të mbijetuarit u transportuan me helikopter në spital.