Ballina Kulturë “Çamëria… Heshtja që vret”, libri si rekuiem për Resul Demin! Në promovim...

“Çamëria… Heshtja që vret”, libri si rekuiem për Resul Demin! Në promovim edhe ish-Presidenti Alfred Moisiu

18
0

Hyqmet Zane 

Të motivosh një njeri të lexojë libra dhe aq më shumë të shkruajë dhe të botojë libra, kjo është një nga vlerat e atij njeriu që e bën këtë. Në fëmijëri dhe në rininë time këtë gjë ma edukoi babai im me atë kulturën e jo të pakët që kishte, me eksperienca të shumta në vende të ndryshme mes sakrificash të mëdha. Vitet shkuan dhe unë u bëra një mësues letërsie dhe babai im, po aq sa edhe nëna ime iu gëzuan faktit që djali i tyre eci në rrugën e duhur dhe u bë mësues dhe për letërsi që gëzoi edhe mësuesin tim të nderuar të letërsisë në gjimnazin “Tomor Sinani” në Cërrik.

Por prindërit ikën në botën e së vërtetës dhe ata mbetën kujtimi im më i bukur në shpirt. Orientimi i Zotit më çonte në rrugën e njohje me burra të vjetër nga Çamëria dhe i gëzohesha faktit që ata ishin bashkëbisedues dinjitozë dhe që lartësoheshin më shumë kur më motivonin të shkruaja për Çamërinë dhe ia dola të botoja edhe libra. Më e madhja ishte se merrja uratat e tyre për punën që bëja me shkrimet që botoja në gazeta të ndryshme e sidomos në këto 15 vjetët e fundit. Janë këto vite që fati e desh të takohesha e të bisedoja me Resul Demin, djalin e Filatit, shokun e fëmijërisë së xhaxhait tim Demir Zane. Më herët isha njohur me Petrit Demin që mirënjihej me babain tim, ashtu si gjyshi im Emin Zane ishte një mik i Musa Demit “Nderi Kombit”, babait të Petritit dhe Resulit.

Pikërisht ky Resul me kulturën që kishte më afroi dhe më krijonte mundësinë të bashkëbisedoja për shkrimet që bëja dhe ai me kulturën që kishte më komentonte dhe më sugjeronte, edhe më kritikonte ndonjëherë. I pëlqente kur shkoja tek lokali i djalit të tij, Gazit ku edhe rrinte. Më pyeste për gjithçka dhe merrja mesazhe pozitive nga ai. Dhe mbi të gjitha në muajt e fundit të jetës së tij më telefononte kur lexonte ndonjë shkrim për Çamërinë. Tematikat e ndryshme ishin edhe një mundësi që Resuli të gjente mundësinë të më shprehte e të më kujtonte të tilla momente të historisë që i kam në mendje dhe i kam hedhur në shkrimet e mia. Edhe një dy javët e fundit të jetës, me gjithë peshën e rëndesës nga sëmundja, më bëri telefon për një shkrim me titullin “Nga Konferenca e Parë e Përgjithshme e SHPA “Çamëria” dhe me zërin pak të mekur më tha “O djalë, mos rresht së shkruari për Çamërinë se ti ke mbetur. Do kesh uratën time edhe nga ajo bota tjetër”. Sinqerisht u lotova. Ishte një mesazh i një janë gjashtë kolona të vendoburri Çamërie.

Pikërisht kjo këshillë e tij e shoqëruar me uratën shpirtërore të tij, u bë motiv që unë të mblidhja të gjitha shkrimet e mia që nga 2020-ta sidomos ato me sens kritik për heshtjen që i bëhet kauzës së Çamërisë dhe të botoja librin tim publicistik “Çamëria … Heshtja që vret”, sepse pikërisht ai Resul, në një bisedat e fundit më tha “po na e vrasin historinë e Çamërisë, po na e shuajnë, po na detyrojnë ta harrojmë”. Ky ishte mesazhi i një burri nga Filati i Çamërisë që më bëri që edhe titullin ta gjeja tek fjalët e Resulit dhe djali i tij Gazi ta sponsporizote dhe promovimin e këtij libri në “Ditën Botërore të Librit” ta bëja në prag të përvjetorit të ndarjes nga jeta të Resul Demit. Ia dedikova këtë libër këtij njeriu që më “ushqeu” me dashurinë për Çamërinë si një prind për fëmijën e tij. Një jetëshkrim modest për të dhe një rekuiem për Resul Musa Demin, janë hyrje e këtij libri që u “celebrua” në një ditë të shënuar.

U bënë shumë njerëz, kryesisht trashëgimtarë të shqiptarëve nga Çamëria, si dhe shumë të tjerë. Dua t’i spikas praninë në promovim të 96 vjeçarit Skënder Beqiri, fotografit nga Vrohonai i Çamërisë, që jeton në Vlorë, që unë e kam cilësuar “Marubi i Çamërisë” dhe që bashkë me prezencën e Presidentit Alfred Moisiu po 96 vjeçar u bënë bashkë në një takim që do ta quaja historik.

Oratorët në promovim i dhanë mesazhet e tyre me shumë vlera dhe me shumë informacione që nga diplomati Leonard Petrit Demi (nipi i Resulit), trajtesa historike nga profesori i mirënjohur Përparim Kabo, fjalët me shumë patos të shkrimtarit Enver Kushit, mesazhi nga Gjermania i profesoreshës së letërsisë nga Filati i Çamërisë Emine Sadiku me referenca nga studiues gjermanë për gjenocidin grek në Çamëri, dinjiteti i diplomates Edith Harxhi me gjyshe nga Filati i Çamërisë që rreth 20 vjet më parë kur ishte zv/ ministre e Ministrisë së Jashtme dërgoi dosjen e Çamërisë në Parlamentin Europian që e ka kontaktuar edhe çami i Paramithisë Tahir Muhedini, si biri trashëgimtar i një familje me shumë viktima në 27 qershorin 1944. Por edhe mesazhi i gazetarit dhe reporterit të mirënjohur Marin Mema me disa emisione për Çamërinë dhe i bërë “non grata” nga Greqia, si edhe mesazhi i shkrimtarit të Çamërisë Arben Kondi i mirënjohur për stendën “Çamëria” në panairet e librit dhe shkrimtari tjetër çam Ahmet Mehmeti me kritikat e tij për qeverisjet dhe ata që heshtin për kauzën e Çamërisë, ishin potencialiteti i suksesit të një promovimi që më shumë ngjau me një sesion shkencor.

Në fund, por më shumë vlerë ishte edhe fjala e ishPresidentit Alfred Mosiu i etiketuar si presidenti i çështjes kombëtare që bëri thirrje për bashkimin e forcave intelektuale çame për të bërë atë që kërkon koha për të t’u përballur me sfidat që lanë pas politikat europiane që nga Konferenca e Ambasadorëve më 1913. Fjala e tij ishte në sinkron me idenë e profesor Kabos që kërkoi që “mendjet intelektuale çame të bëjnë Institutin e studimeve për Çamërinë jo me një ndërtesë, por me strategji dhe modele për zgjidhjen e çështjes çame”.

Në këtë promovim u vlerësua dedikimi për Resul Demin të një libri që duhet ta lexojnë çamët se, sipas Leonard Demit është “është një libër epope dhe një minierë informacionesh me intensitet të lartë”. Ndoshta uratat e xhaxhait të tij Resul Demin për mua botuesin e këtij libri, do mbeten si një orientues për të ardhmen që me bashkimin e ideve dhe potencialeve intelektuale, siç këshilloi Presidenti Moisu, do japin frutet e tyre në të ardhmen. Është një libër si bekim nga mesazhet që më jepte Resul Demi, ky bir i Çamërisë me trashëgimi të nderuar dhe trashëgimtarë të vlerësuar edhe në ditët e sotme. Jam i bindur se ne fëmijët e shqiptarëve të Çamërisë që i vrau antishqiptarizmi grek e cilësuar kjo edhe në Ditën Historike të 27 Qershorit si “Dita e gjenocidit mbi Çamërisë nga shovinizmi grek” nga Presidenti i kohës më 1994.

Nga shumë të pranishëm dhe oratorë në promovim u tha se titulli i librit është sinjifikativ, se heshtja për Çamërinë po ulëret, po thërret dhe fton bijtë e saj për drejtësi.