Ballina Europë Itali/ U hodh nga kati i tretë i shtëpisë, humb jetën tragjikisht...

Itali/ U hodh nga kati i tretë i shtëpisë, humb jetën tragjikisht 14 vjeçarja me origjinë nga Vlora

0
32

Humb jetën një vajzë 14 vjeçare shqiptare, banuese në zonën e Massafras në Itali, në provincën e Tarantos. Mediat italiane shkruajnë se adoleshentja u hodh nga kati i tretë i shtëpisë ku jetonte me dy prindërit e saj.

Vajza u dërgua me urgjencë në spitalin Santissima Annunziata në Taranto, me shenja jete, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, vdiq pak minuta më pas.

Nga informacionet e para që raportojnë mediat në Itali, dyshimet janë se ajo mund të ketë rënë pre e bullizimit dhe në kushtet e tronditjes së fortë psikologjike ka ndërmarrë aktin ekstrem.

Nëna e vajzës ka qenë në apartament në kohën kur ka ndodhur ngjarja, kjo e deklaruar dhe nga dëshmitarët, ndërkohë që vet ajo u ka thënë hetuesve se e ka parë të gjithë momentin kur e bija ka hapur dritaren dhe është hedhur nga kati i tretë.

Hetimet u janë besuar karabinierëve, të cilët po rindërtojnë sekuencën e saktë të ngjarjeve dhe po verifikojnë çdo element të mundshëm të dobishëm për të sqaruar vdekjen tragjike të së miturës me origjinë nga fshati Dukat i Vlorës.