Afërsia me Korfuzin dhe bukuritë natyrore e historike po e shndërrojnë Sarandën në një prej destinacioneve më të kërkuara turistike në Shqipëri. Gjatë gjithë vitit, qyteti jugor mirëpret vizitorë vendas dhe të huaj, të cilët tërhiqen nga plazhet me ujëra të kristalta, nga trashëgimia kulturore si Butrinti, Kalaja e Lëkurësit dhe Manastiri i 40 Shenjtorëve, si dhe nga shëtitoret e mbushura me gjallëri.
Të dhënat për këtë sezon turistik janë premtuese. Deri në fillim të majit, rezervimet e bëra nga turistë të huaj, veçanërisht nga Gjermania dhe vendet nordike, janë rritur me rreth 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Turistët që ndodhen aktualisht në Sarandë shprehen të kënaqur me përvojën e tyre:
“Ndodhem në Sarandë prej katër javësh dhe më pëlqen të bëj pushime të gjata. Deti i mrekullueshëm këtu, ushqimi po, por edhe njerëzit e mrekullueshëm. Moti fantastik. Çmime shumë të lira.”
Saranda, dikur një destinacion sezonal, po kthehet në një eksperiencë të përhershme, që vizitorët duan ta jetojnë gjatë dhe shpesh.