Gjatë një takimi elektoral në Peqin, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dha një sërë premtimesh mbi rritjen e ndjeshme të pagave dhe pensioneve nëse vjen në pushtet. Ai deklaroi se në 100 ditët e para të qeverisjes së PD-së, nuk do të ketë më paga më të ulëta se 500 euro në Shqipëri.
“U siguroj se me 11 Maj, me votën tuaj, ju bëni një ndryshim epokal sepse pas 11 Majit në 100 ditët e para nuk do të ketë rrogëtar me rrogë më të ulët se 500 euro në Shqipëri. Dhe se rroga mesatare do jetë 1250 euro. Nuk do ketë mësues me rrogë nën 1500 euro”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi gjithashtu se një tjetër prioritet do të jetë rritja e pensioneve, duke kritikuar trajtimin aktual të kësaj kategorie nga qeveria Rama. Sipas tij, pensionistët aktualisht jetojnë në kushte të vështira ekonomike, me një pension mesatar prej 172 eurosh.
“Çdo pensionisti i kërkoj vetëm një gjë: t’i shtrojë vetes pyetjen, si ka mundësi që pensionisti malazez, që në 2013 merrte 138 mijë lekë, sot merr 450 mijë? Në 100 ditët e para u siguroj se nuk do ketë pensionist me pension nën 200 euro”, tha Berisha.
Kreu i PD komentoi edhe aktivitetin elektoral të Partisë Socialiste në Dibër, duke e ironizuar si një “shfaqje tallëse me qytetarët”, ku sipas tij, përfshihej luksi i panevojshëm, ndërsa qytetarët përballen me varfëri.
“Tallet me shqiptarët, merr daullen i bie daulles. Gjen dhe Noizyn me Lamborghini. Lamborghini i Noizyt nuk është pensione dhe rroga. Ai ta gëzojë, por ç’punë ka pensionisti me të?”, tha Berisha, duke i bërë thirrje qytetarëve që të votojnë për ndryshim më 11 maj.