Ballina Kosovë Zvicra dënohet nga Gjykata e Strasburgut për dëbimin e padrejtë të një...

Zvicra dënohet nga Gjykata e Strasburgut për dëbimin e padrejtë të një shqiptari nga Kosova

42
0

Një shqiptar nga Kosova është kompensuar nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) pasi u vlerësua se Zvicra e kishte dëbuar atë në mënyrë të padrejtë. Në vendimin e saj, gjykata e Strasburgut e konsideroi dëbimin e tij si shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane, që garanton të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare.

Emigranti, tashmë 35 vjeç, kishte mbërritur në Zvicër vetëm pesë muajsh, përmes ribashkimit familjar me prindërit në kantonin e Tisinës në vitin 1989. Edhe pse i rritur në Zvicër, ai më vonë devijoi drejt kriminalitetit.

Në vitin 2009 u dënua me 26 muaj burg për vepra penale të rënda – përfshirë sulme të dhunshme ndaj dy personave që përfunduan në spital me lëndime në tru, si dhe për kërcënim me vdekje ndaj një të mituri.

Si pasojë e dënimit, autoritetet zvicerane ia revokuan lejen e qëndrimit dhe vendosën dëbimin e tij. Megjithatë, ky dëbim u realizua fizikisht vetëm në korrik të vitit 2023, plot 14 vjet pas vendimit fillestar.

Në ankesën e tij, i dëbuari pretendoi se i është shkelur e drejta për jetën familjare dhe se gjendja e tij shëndetësore, (ai vuan nga një defekt në zemër), e bënte jetesën në Kosovë të pasigurt.

GJEDNJ i dha të drejtë, duke theksuar se autoritetet zvicerane nuk kishin marrë në konsideratë në mënyrë të mjaftueshme lidhjet e tij familjare dhe sociale në Zvicër, si dhe gjendjen e tij mjekësore.

Gjykata vlerësoi se pas një qëndrimi kaq të gjatë në Zvicër, dëbimi përbënte një ndërhyrje joproporcionale në jetën e tij dhe e urdhëroi Zvicrën të paguajë 19,000 euro si dëmshpërblim.

Rasti ilustron tensionin mes interesit të shtetit për të mbrojtur rendin publik dhe të drejtave themelore të individit, veçanërisht kur ai është i rritur dhe i integruar në shoqërinë pritëse.