I deleguari politik i PD-së në Qarkun Berat, Eno Bozdo, ka denoncuar kryetarin e degës së PS në Poliçan, Erjon Zylyftari, duke e akuzuar për përgjegjësinë në zhdukjen e 54 ton lëndë të parë nga Uzina Mekanike Poliçan. Bozdo theksoi se Zylyftari, kur mbante detyrën e drejtorit të uzinës, ka shkaktuar një dëm prej 250 milionë lekësh për buxhetin e shtetit.
Sipas Bozdos, Erjon Zylyftari është përgjegjës për këtë vjedhje, por gjithashtu për një dënim të tij në Greqi me 8 vite burg. Ai po ashtu kritikoi Prokurorinë e Beratit për vonesat në hetimet ndaj Zylyftarit, duke shtuar se dosja ka ngecur për tre vjet.
Bozdo ngre pyetje lidhur me mbrojtjen që Zylyftari po merr dhe kërkon që ai të japë llogari për veprimet e tij. Ai përfundoi me një apel për ndryshim, duke theksuar se në zgjedhjet e 11 majit shqiptarët do të bëjnë ndryshimin dhe do të pastrojnë politikën nga ata që janë të lidhur me korrupsionin dhe kriminalitetin.
Deklarata
Erjon Zylyftari, Kreu i Partisë Socialistë të Poliçanit dhe njeriu që drejton fushatën e Partisë Socialiste në këtë bashki, sipas një raporti zyrtar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rezulton se është direkt përgjegjës për zhdukjen e sasive shumë të mëdha të lëndëve të para të vlefshme nga invetari i Uzinës Mekanike Poliçan, kur vetë Zylyfari ishte drejtor i saj! Kështu, në vitin 2021, Kontrolli i Lartë i Shtetit zbuloi se ishin “zhdukur” 54 ton lëndë e parë tunxh, bronz dhe bakër, të maskuar si “skrap”. Sipas përllogaritjeve të KLSH-së, vlera totale e dëmit financiar të shkaktuar (dmth vjedhjes) është 250 milionë lekë.
Për këtë skandal, përgjegjës kryesor është ish-drejtori i Uzinës Mekanike, Erjon Zylyftari, sot drejtues i PS-së në Poliçan. Në vitin 2022, Prokuroria e Beratit nisi zyrtarisht hetimet, gjë që solli edhe marrjen në pyetje të Bledi Çuçit, ministrit socialist në atë kohë.
Pas 3 vitesh hetime, Prokuroria ka ngecur dhe nuk ka asnjë avancim në këtë dosje. Vjedhja e materialeve është tashmë e faktuar dhe pikërsht në kohën kur Erjon Zylyftari ishte drejtor i kësaj Uzine. Raporti i KLSH fakton përgjegjësinë direkte të Zylyftarin në këtë aferë. Prokuroria ka tre vjet që e mban ketë dosje dhe nuk bën asnjë hap përpara. Pse ndodh kjo? Apo sepse Zylyftari është drejtues politik i Partisë në Poliçan? Pse atij i ofrohet kjo mbrojtje shumë e fortë? Kush ka nderhyrë që kjo dosje të “ngecë” dhe mos të këtë asnjë zhvillim?
Disa pyetje për Zylyftarin: Kur keni jetuar në Greqi, a keni shkelur ligjin aty? A jeni dënuar ju me 8 vjet burg, me emër tjetër? A është dosja juaj në Policinë e Beratit, ku mbahet sepse njerëzit e partisë suaj janë mbi ligjin dhe ligji nuk i prek ata?
Këto pyetje meritojnë përgjigje. Dhe përgjigjen e merituar do ta marrin në 11 maj! Ndryshimi po vjen! Ne do pastrojmë shtëpinë tonë nga të korruptuarit, kriminelët dhe hajdutët e parave të shqiptarëve.