Këshilltari i Chris LaCivita, Philip Griffin ka bërë një paralelizëm mes zgjedhjeve në Amerikë ku fitues doli Donald Trump dhe Parlamentareve në Shqipëri që do të mbahen më 11 maj.
Në fjalën e tij nga takimi përmbyllës i fushatës në Tropojë, Griffin u shpreh se e njëjta gjë që po i ndodh kryedemokratit Berisha, i ka ndodhur Trump-it me socialistët që sipas tij u munduan ta shkatërrojnë duke përdorur sistemin ligjor.
“Jam këtu për t’ju thënë se Shtetet e Bashkuara e kanë shumë interes për Shqipërinë dhe për zgjedhjet që ju keni më 11 maj.
Shqipëria ndodhet në një udhëkryq. Historia do të shkruajë se kush bëri çfarë gjatë këtyre zgjedhjeve.
Ne bëmë histori në Amerikë në nëntor. Ndoshta keni dëgjuar diçka për këtë. Në Amerikë, socialistët u përpoqën të shkatërrojnë Donald Trump-in duke përdorur sistemin ligjor. Por Donald Trump dhe populli amerikan nuk e lanë të ndodhte. Këtu në Shqipëri, socialistët po përpiqen të përdorin të njëjtat marifete. Dhe jam këtu për t’ju thënë se nuk do të kenë sukses as këtu”, tha ai.
Por Griffin theksoi se populli amerikan bëri historinë dhe nuk lejoi që kjo gjë të ndodhte, duke u thënë qytetarëve se kjo është koha që të bëjnë të njejtën gjë.
“Tani është koha që ju të bëni pjesën tuaj. Duhet të flisni me miqtë tuaj, me fqinjët, me familjen tuaj, duhet të bëni që të gjithë të dalin e të votojnë. Çdokush që është në miting tani, shikoni njëri-tjetrin në sy. Shikoni majtas-djathtas. Shikoni njëri-tjetrin në sy dhe duhet t’i bëni vetes pyetjen: A do ta bëjmë historinë së bashku? Përgjigjja ime është: Po, ne do të bëjmë histori”, tha ai.