Ballina Dossier Kampi i internimit në Porto Romano, dëshmi e tmerrit fashisto-nazist

Kampi i internimit në Porto Romano, dëshmi e tmerrit fashisto-nazist

0
13

Nga Meçan Hoxha, Historian 

Kampet e internimit dhe të shfarosjes të ngritura nga fshistët dhe nazistët janë dëshmia më e qartë e terrorizmit dhe antihumanizmit të tyre. Ata i përdorën këto kampe si burgje të tmerrshme ku merreshin vendime pa asnjë gjyq, duke mohuar të gjitha të drejtat njerëzore. Në to, qeveritë kanë mbajtur njerëzit që ishin kundër tyre e që vlerësoheshin si shumë të rrezikshëm. Funksioni i tyre ishte i gjërë, duke filluar nga të arrestuarit dhe grumbulluarit me dhunë, burgimet, torturimet e deri ekzekutimet, veprime të kryera pa gjyq e pa respektuar asnjë të drejtë njerëzore. Shumë prej tyre janë quajtur kampe të shfarosjes në masë e “fabrika të vdekjes”, ku janë vrarë miliona njerëz. Vetëm hebrej, nëpër kampet e shfarosjes naziste, gjatë Luftës së Dytë Botërore, janë ekzekutuar mbi 6 milion.

Njerëzit e mbyllur në këto kampe, nuk kanë qënë fajtorë për ndonjë krim, por të vlerësuar politikisht kundër e të rrezikshëm për regjimin. Këto situata janë rrjedhojë e pushtimeve, ndaj të cilëve natyrshëm shpërthen urrejtja, qëndresa e rezistenca. Edhe në Shqipëri, kjo praktikë u diktua dhe aplikua nga pushtim fashist. Italia fashiste, kishte kohë që punonte e përgatitej për ekspansion dhe rikthim të madhështisë së Romës së Vjetër. Synimet e saj ishin zgjerimet në Afrikë e në Ballkan. E filloi këtë me pushtimin e Abisinisë dhe pastaj vazhdoi me pushtimin e Shqipërisë.

Ishte e qartë se vendet e pushtuara nuk do pajtoheshin me humbjen e lirisë dhe do ta kundërshtonin atë, siç ndodhi dhe me popullin tonë, i cili që ditën e parë të zbarkimit të ushtrisë glorioze të Italisë, rezistoi deri në vetmohim. Më qartë se kudo kjo rezistencë u pasqyrua në Durrës, më 7 prill të vitit 1939, ku pushtuesit shkelën mbi gjakun e shtatë dëshmorëve të parë antifashistë në Ballkan. Më pas, sidomos pas dështimit të luftës së Musolinit me Greqinë, nisi  një rezistencë e organizuar shqiptare, gjë që rrëfehet dhe në ditarët e luftës të vetë pjesëmarrësve të ushtrisë italiane. Nga janari deri në dhjetor 1941, zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, Karabinierët dhe SIM, raportuan se kishin vendosur masa të posaçme vëzhgimi për rreth 21.000 shqiptarë; nga të cilët 5600 u internuan në kampe përqendrimi, ose u mbyllën në zona të veçanta..

Kampet e Përqëndrimit funksionuan sipas një dispozite të shtetit Italian, të miratuar  më 1 mars, 1942, e cila shërbeu si model për shtypjen radikale të qëndresës në Ballkan.

Kushdo që gjendej me armë në dorë ose në shtëpi mund të vritej aty për aty, ndërsa internimi kishte të bënte me kryefamiljarët, madje edhe të moshuarit, që jetonin në vendet e sulmeve partizane. ‘Rregullat’ e internimit kishin të bënin me të ashtuquajturat “shkelje politike” të kryera nga popullata vendase (kryengritje të armatosur, organizim ose pjesëmarrje në grupe dhe shoqata subversive, sulme me bomba kundër forcave të okupatorit, por edhe nxitje për dezertim nga punë të detyrueshme ose rekrutimi ushtarak).

Me të pushtuar Durrësin, italianët nxituan për të ndërtuar një kamp, ku do të izoloheshin të gjithë kundërshtarët e fashizmit.

Rrjedhojë e rritjes së rezistencës së organizuar, u radikalizua e u rrit dhe represioni italian që çoi në rritjen e numrit të internuarve shqiptarë, sidomos në verën e viti 1942. Kjo bëri që të ngrihen kampe përqëndrimi për të izoluar e mbajtur peng rezistencën në Berat, Kavajë, Shjiak, Shirokë dhe Porto-Romano. Kampi i internimit në Porto-Romano pati shumë të internuar nga vende të ndryshme ballkanike, ndaj dhe është quajtur Kamp Internimi Ndërballkanik.

Kampi i Porto-Romanos ishte më i madhi dhe më i rëndësishmi për pushtuesit italianë. Vendi i quajtur Porto-Romano, rreth 6 km në veri të qytetit të Durrësit, u studiua dhe u vlerësua si shumë i përshtatshëm nga pushtuesit. Ai konsiderohej si territori më strategjik, pasi aty do të ishte e pamundur çdo përpjekje për t’u arratisur nga brenda apo tentativë e armatosur për të liruar të internuarit nga jashtë, sepse ishte shumë i izoluar. Kampi fashist në Porto Romano, kufizohej nga ana perëndimore me detin, me një mur 3 metër të lartë dhe gjatësi 250 metra. Në pjesën ku kampi kufizohej me rrugën, që e lidhte me Durrësin u rrethua me gardh me tela me gjemba. Në pjesët e tjera arratisja ishte e pamundur, pasi kodra kishte pjerrësi të madhe që përfundonte në det. Brenda territorit, veç barakave për fjetore e shërbime të tjera, u ndërtuan fortifikime dhe kulla të larta vrojtimi të pajisura me mitraloza e me projektorë ndriçimi për gjithë natën. Gjithçka brenda kampit kontrollohej nga spiunazhi italian. Edhe dokumentat dhe dëshmitë e ish të internuarve në atë kamp e vlerësojnë si kampin më të madh shumëkombësh ballkanik, me reth 1300 të internuar: shqiptarë (përfshirë dhe ata të territorit kosovar), malazezë, serbë, boshnjakë, kroatë, maqedonas dhe grekë. Të internuarit në atë kamp famëkeq fashist përjetuan ferrin e vërtetë. Veç izolimit e trajtimit çnjerëzor, ai shërbeu dhe për shpërndaje drejtë kampeve të shfarosjes. Kampi fashist i Porto-Romanos u mbyll me 25 gusht 1943, në prag të kapitullimit të Italisë fashiste. Pas kapitullimit të fashistëve, kampi u vendos nën mbikqyrjen dhe administrimin e gjermanëve. Nazistët ndjeheshin të pasigurtë në Durrës, ndaj ata e boshatisin me detyrim qytetin. Elementët e dyshimtë iu bashkuan robërve italianë dhe kaluan ditët e muajt në Porto-Romano, në izolim të plotë. Dështimi i forcave gjermane përballë aleatëve dhe rrethimit nga forcat partizane, bëri që nazistët të largoheshin nga Durrësi, ta linin edhe kampin e Porto Romanos. Kampi nuk u hodh në erë dhe as nuk u minua.

Historianët Hava dhe Sali Hidri kanë shkruar: “Në fakt ai njihet në dokumentat e shkruara të pushtuesve fashistë: “Kampi i përqëndrimit nr. 402/0”. Ky kamp u ndërtua nga fashistët italianë në vitin 1942, në veri të qytetit, në faqen lindore të vargut kodrinor, rrëzë tyre, duke patur përballë ish kënetën e Durrësit…Kampi u vu nën një trajtim të egër dhe një regjim ditor tipik kampesh përqëndrimi.” (Historia e Durrësit, fq. 446)

Të internuarit ishin atdhetarë e revolucionarë të vërtetë. Edhe në ato kushte të egra mbikqyrjeje e terrori, ata luftuan për të mbijetuar, luftuan për jetën e tyre, po dhe për tu kthyer në radhët e luftëtarëve të lirisë së popujve të tyre. Ata, edhe në ato kushte, mundën të organizohen dhe siç shkruajnë historianët e cituar më sipër: ”Me gjithë regjimin e rreptë të këtij kampi të internuarit arritën si për çudi të nxirrnin buletinin e tyre, titulluar, “Arma e të vuajturve”. Atë e lexonin të 1300 të internuarit e këtij kampi, që përballeshin përditë me dy tortura të mëdha: atë  të ujit dhe të bukës, siç i cilësonte buletini në fjalë.”(Vepër e cituar, fq. 447)

Një ish i internuar në këtë kamp, në kujtimet e tij shkruan: ”Në kampin e Përqëndrimit A .A. F-F ”0” Nr. 402 të Porto Romanos të Durrësit (I cili qe Kamp Përqëndrimi Ndërballkanik e më gjërë, me një izolim hermetik) ishin mbyllur 1225 shqiptarë, 310 malazes, 100 maqedonas, 96 grekë, 6 çifutë dhe 90 me kombësi të tjera”.(Y. Poloska,”Dëshmi nga ferri Nazifashist.)

Në atë kamp ishin 8 djem nga Durrësi. Gjithësej të inerrnuar nga Durrësi në kampet e fashiste e naziste numërohen mbi 220 vetë, nga të cilët 45 nuk u kthyen gjallë, për të mbetur përjetësisht të gjallë, e pikërisht: në Kampin e Përqëndrimit në Prishtinë dy, në Kampin e Përqëndrimit në Zemun 21, në Kampin e Përqëndrimit në Mat’hauzen 22.

Me Kampin e Internimit në Porto-Romano është i lidhur fati, historia dhe kujtesa e qindra patriotëve shqiptarë dhe ballkanas, të vendosur për të kundërshtuar pushtimin e vendeve të tyre nga ushtritë e huaja. Nisur nga rëndësia historike, Porto Romano është vlerësuar Monument i trashgimisë kulturore, i llojit Histori, me Vendim nr. “586/4874, datë 17.03.1948.

Natyrshëm që duhet të ishte një vend ku të gëlonin vizitorë të shumtë shqiptarë e të huaj, por nuk ka ndodhur kështu. Sot, këtë vend e kanë mbuluar shkurret dhe e ferrat e pjesërisht është privatizuar. E pa falshme! Le të lulëzojë jeta për rreth, po jo mbi gjurmët e historisë. Historia nuk pranon vello as prej balte as prej floriri. Ajo kërkon vërtetësi që të shërbejë ndër shekuj për brezat, jo si përrallë po si shkencë për referim e për mësim. Nuk është e drejtë, që këtë dëshmi të rrallë dhe të rëndësishme të historisë sonë e më gjërë ta mbulojë harresa. Është prishur dhe memoriali ku shkruhej:“Luftëtarëve trima nga Shqipëria dhe nga vende të tjera të Ballkanit, që nën udhëheqjen e patriotëve, 1942-‘43, organizuan qëndresën antifashiste në kampin e përqendrimit 402/0″. 

Në të kundërt të kësaj situate, aty mund të ruhet e restaurohet një panoramë tjetër, me ndjeshmëri historike dhe efekt edukativ, patriotik dhe mjaft të kërkuar për udhërrëfyesit turistikë. Për këtë u diskutua në Aktivin e Org. së VP të LANÇ të Bashkisë Durrës dhe u vu detyrë për ndjekje ngritja e një monumenti historik,  në kuadër të 80 vjetorit të fitores mbi nazifashizmin, me besim se në të ardhmen do të ketë një muze me komponentët që e plotësojnë dhe e përjetësojnë denjësisht atë tragjedi. Bashkia duhet të kryej detyrën ndaj atdhetarisë dhe të bëjë më të mirën e mundëshme për këtë dëshmi të historisë sonë.