Nga Ylli Manjani
Teza që Irena Gjoka dhe dënimi i saj në Greqi është tregues i dështimit të Reformës në Drejtësi është sempliste, idiote dhe që fsheh të vërtetën e hidhur të drejtësisë së deformuar që në gjenezë. Vendimi i Janinës nuk është as gjethe fiku që të mbulojë përgjegjësinë e udhëheqësve politikë për kolapsin e sistemit.
Irena Gjoka ndoshta ka kusuret e veta, por nuk është ajo arsyeja pse drejtësia e reformuar sillet si bolshevike.
Meqë ra fjala Irena nuk është e vetme. Ka edhe të tjerë që kanë kusure për të larë. Kurrë se kam kuptuar pse duhet ti fshehin përpjekjet për një palë letra greke me thënë të drejtën?!
Sa shqiptarë janë zhgarravitur në Greqi, Europë e Amerikë për një palë letra? Gjykatësit e prokurorët e sistemit tonë shqiptarë janë, si ne. (Pastaj ato që kanë letra amerikane janë rracë superiore nga këto me letra greke?)
Sidoqoftë, prap them se kusuret personale të gjykatësve e prokurorëve të sistemit të sotëm nuk mund të justifikojnë reformën e dështuar dhe kolapsin e sistemit të drejtësisë.
Ja ta zemë se Irena Gjoka qenka e keqe, po gjykatësit e tjerë aty, në apel, në gjykatën e lartë e në atë kushtetuese pse nuk vendosin ndryshe nga ajo?! Apo të gjithë janë të dënuar nga Greqia?!
Ja pra që nuk janë ata që shërbejnë sot në sistem problemi, por është vetë sistemi. Shkatërrimi i ballancave ndërmjet pushteteve, shpartallimi i garancive për një proçes të rregullt ligjor, vendosja e gjykatësve nën trysninë e prokurorëve, hartimi i ligjeve që lejojnë dënimin e mendimit, lejimi i arresteve me dyshime (pra pa prova), fillimi i ndjekjes penale me anonimë dhe kallëzues popullorë e të tjera si këto nuk janë probleme që i justifikojnë të zezat e Irena Gjokës dhe të tjerëve në sistem.
E përsëris, kush ka kusure për të larë le ti lajë. Por asnjë garanci nuk ka që një tjetër në vend të Irena Gjokës do jetë më e/i mirë.
Është çështje sistemi, jo personi.
Kush arsyeton me mendje të lirë e të ftohtë kështu e sheh këtë gjë.
Kush mendon se ka gjetë fajtorin tek emri i radhës që shërben në sistem ose ka hall personal dhe nuk i intereson publikja ose është mendjengushtë populist që do të bëjë interesantin.
Duhen reforma të vërteta jo përrallat e njohura me letra greke.