Kandidatja e Partisë Demokratike, Elda Hoti, ka reaguar pas arrestimit të bashkëshortit të saj.
Në një postim në Facebook, Hoti akuzon ministrin Ulsi Manja dhe strukturat e Policisë së Shtetit se po veprojnë në shërbim të interesave politike.
“Asnjë polici politike, asnjë strukturë kriminale dhe asnjë zëdhënës i krimit të organizuar nuk do të mund ta ndalë vullnetin e qytetarëve për ndryshim. Ditët e frikësimit, fabrikimeve dhe shtypjes së zërit opozitar janë drejt fundit. Ulsi Manja dhe çdo vegël politike që përdor Policinë e Shtetit për interesa të pushtetit do të mbajnë përgjegjësi për çdo veprim të paligjshëm, për çdo tentativë për të frikësuar qytetarët që duan një të ardhme më të mirë.
Këto manovra janë të dështuara sepse fuqia e popullit nuk ndalet nga asnjë makineri represive.
Ata që blenë vota dhe shantazhuan, votuesit janë të lirë dhe po rendin nga qendra në qendër votimi, Aleksander Dodaj, Renuar Kolaj dhe të gjithë kriminelët elektoral, i keni bërë llogaritë gabim. Njëshat nuk ka regjim që i ndal. Qytetarë, mos harroni gjithçka ju kanë bërë këto 12 vite”, thuhet në reagim.