Një person është arrestuar ditën e sotme në Kukës, i dyshuar për blerje votash për PSD.
Sipas njoftimit të policisë, mësohet se 27-vjeçari Kalosh Peposhi së bashku me kushëririn e tij, Gazmend Peposhi u janë gjetur shuma të mëdhaja parash, të cilat dyshohet se do i përdornin për veprimtari kriminale të korrupsionit aktiv në zgjedhje.
Gjithashtu, Gamzend Peposhi është shpallur në kërkim, ndërsa policia është duke punuar për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Njoftimi:
Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, ku u shpallën në kërkim dy shtetas për “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, ju informojmë se;
Nga strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve zgjedhore në DVP Kukës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSH dhe DVP Kukës, nën drejtimin e SPAK, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. P., 27 vjeç, banues në fshatin Lusen, i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjatë arrestimit, këtij shtetasi ju gjet një shumë e konsiderueshme parash, të cilat dyshohet se do ti përdorte për veprimtari kriminale të korrupsionit aktiv në zgjedhje.
Vijon puna për kapjen e shtetasit G. P.
Materialet procedurale do ti kalojnë Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.