Australiani Jack Della Maddalena është kampioni i ri i botës në peshën “welterweight” në artet marciale mikse (pesha deri 77kg).
Ai mposhti me vendim unanim të gjyqtarëve luftëtarin amerikanin Belal Muhammad në eventin UFC-315 që u zhvillua në Montreal të Kanadasë.
Të tri gjyqtarët i dhanë fitoren Della Maddalena (48-47, 48-47, 49-46) në fund të një sfide mjaft të fortë dhe të ekuilibruar, ku të dy luftëtarët dueluan fort për titullin.
Australiani (18 fitore e 2 humbje në karrierë) fiton për herë të parë titullin kampion bote, që në sfidën e parë për titull. Ndërsa Belal Muhammad (25 fitore, 4 humbje e 1 duel pa rezultat) nuk arrin dot të mbrojë titullin e fituar një vit më parë.
Jack Della Maddalena u tregua më kërkues në kafaz, arriti të vendosë shpesh në vështirësi rivalin amerikan që doli i gjakosur nga kjo sfidë. Ndaj, fitorja ishte e merituar.
Në këtë event dueloi edhe një ikonë e MMA-së si Jose Aldo (32 fitore, 10 humbje), ish-kampion bote. Pasi u mund sot nga Aeimann Zahabi, ai vendosi të tërhiqej nga sporti në pshën 38-vjeçare, duke marrë duartrokitjet e fansave.