Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat e para mbi pjesëmarrjen në votimet e 11 majit.
Që prej momentit kur u hapën qendrat në të gjithë vendin, raportohet se pjesëmarrja ka qenë 12.97% nga 1481 qendra votimi që kanë çuar informacionin në KQZ.
Deri në orën 09:00, sipas KQZ-së, pjesëmarrja në rang vendi ka arritur në 5.16% të votuesve, ndërsa në orën 08:00, kjo shifër ishte 2.13%.
Qendrat e votimit u hapën zyrtarisht në orën 07:00 të mëngjesit dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00.
Në këto zgjedhje kanë të drejtë vote gjithsej 3,713,761 shtetas shqiptarë, mes të cilëve 114 mijë janë votues për herë të parë.
Për herë të parë në historinë zgjedhore të vendit, shqiptarët që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë kanë pasur mundësinë të votojnë nëpërmjet një platforme elektronike të regjistrimit të votës në diasporë, e cila qëndroi e hapur nga 11 janari deri më 11 mars 2025.
Nga 245,935 zarfe me fletë votimi të dërguara drejt emigrantëve, 227,097 janë marrë nga zgjedhësit dhe 181,609 kanë mbërritur deri më tani në KQZ. Kjo përfaqëson një shkallë pjesëmarrjeje prej 74% të të gjithë votuesve të regjistruar nga diaspora – një angazhim i lartë që evidentohet edhe nga fakti se 93% e zgjedhësve morën fletën e votimit dhe 81% e tyre e kthyen atë të plotësuar.
Votat e diasporës do të numërohen në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe do të konsiderohen si të hedhura në qarkun ku votuesi ka pasur adresë të regjistruar në Shqipëri.