Nga Davide Carlucci, La Repubblica
Sipërmarrëse dhe shkrimtare, e angazhuar në politikë: Anita Likmeta jeton në Itali që nga viti 1997, por ndjek me pasion zhvillimet e vendit të saj.
Nëse do të fitonte përsëri Edi Rama?
A janë mësuar shqiptarët me këtë gjendje?
«Ky lloj qëndrimi i zgjatur ka tendencën të ndryshojë jo vetëm strukturën e pushtetit, por edhe psikikën kolektive, duke zëvendësuar besimin me varësinë, mospajtimin me përshtatjen. Është pika në të cilën uni i pushtetit shkrihet me vetë imazhin e kombit: Rama nuk qeveris më vendin, por përfaqësimin që vendi ka për veten».
Cili është rreziku?
«Që edhe vetë koncepti i ndryshimit të bëhet traumatizues. Rreziku më i madh nuk është autoritarizmi i hapur, por forma e tij më elegante: konsensusi i zakonshëm, hegjemonia që maskohet».
Ai paraqitet si progresist dhe veprues. Dhe vë bast mbi Europën përmes afrimit me Italinë dhe operacionit në Gjadër.
«Narrativa e Ramës, progresiste në tone dhe ekzekutive në qëndrim, është një ndërtim i mençur. Ajo përzien gjuhën e Europës me gramatikën e një pushteti vertikal. Operacioni në Gjadër shërben për të forcuar kornizën e liderit-urë: ai që përkthen Shqipërinë në gjuhën e fuqive të mëdha. Por ajo që Rama shet nuk është një projekt europian, është një koreografi e europianizmit: valëvit pasaportën e anëtarësimit, ndërsa shumëzon paqartësitë demokratike».