Banka e Shqipërisë bëri të ditur sot se raporti i kredive me probleme zbriti në muajin mars 2025, në nivelin 4%, nga 4,2% që ishte një muaj më parë.
Sipas BSH-së, ky është niveli më i ulët në 10 vitet e fundit, ku niveli i kredisë me probleme zbriti në 4% nga 25% që arriti maksimalisht në muajin shtator 2014.
Ndikim pozitiv në pagimin në kohë të kësteve të kredive ka dhënë ulja e normave të interesit për të gjitha kreditë si në valutë, ashtu edhe në monedhën kombëtare.
Gjithashtu edhe ulja e interesave i ka bërë më të lira këstet, ndërkohë që edhe zhvlerësimi i valutave ka ndikuar pozitivisht në kthimin e kredive që janë marrë në monedhë të huaj.
Nga ana tjetër, vlerëson BSH-ja, performanca e sektorit bankar paraqitet mjaft e mirë, me fitime që kanë arritur vlerat më të larta historike. Kjo po ndikon në rritjen e ofertës për kredi që ka impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e ekonomisë së vendit.