Nga Gani I.Mehmeti
Krypimehi është fshat nja 10-12 kilometra në veriperëndim të Podujevës. Ai shtrihet në anën e majtë të derdhjes së lumit Llap. Përmes këtij lumi kufizohet me Pakashticën e Epërme dhe të Poshtme dhe në në pjesë me Zakutin.
Kur në vitin 2011 pata regjistruar emrat e këtij vendbanimi, nga informatorët nuk mora edhe Kullën e Krypimehit, për të cilën unë e quaj kështu, ndërsa vendasit nuk e di si e quajnë, apo atyre nuk u ka bërë përshtypje fare ekzistenca e saj, ashtu sikur nuk na kanë bërë përshtypje e nuk i kemi çmuar edhe shumë objekte tjera të trashëgimisë kuklturore e fetare nga e kaluara jonë, dhe ashtu në heshtje, disi ose janë zhdukur, ose na i kanë marrë të tjerët, siç janë kishat tona pas konvertimit në islam, deri sa ne kemi mbetur pa to, sikur të kishim pikur nga qielli në këto troje, kur dihet botërisht e historikisht se jemi të parët në këto troje.
Edhe Kulla e Krypimehit ashtu. Nuk e bën llaf kush se ajo ekziston që para nja dy qind vitesh të paktën e ndoshta më shumë.
Në realitet, informatori i sotëm, me aq sa ka dëgjuar na thot se Kullën e kishte ndërtuar një Bakani! Ky Bakani paska qenë një njeri i pasur e i fortë, por, me të ndërtuar Kullën, disi i kishte ndodhur të kishte telashe me pushtetin e kohës dhe në mënyrën më mizore e në formë të tradhtisë e kishin zhdukur, aq sa nuk dihet kurrë më asgjë për të.
Te toponimia e vendbanimit të Krypimehit, me emrin Kullë, kemi vetëm:
Ballet e Kullës, L. ndërmjet Rrezes Mustahoviqe e Kullës. Dhe atë pa asnjë shpjegim më shumë!
Pas pushtimit të Kosovës nga Serbia më 1912, siç dihet, pasi kishte vendosur Serbia administratën këtu, gradualisht kishte nisur zbatimi i “reformës agrare”, pra të kolonizimit me serbë të sjellur nga Serbia, Kroacia e Bosnja e Hercegovina, duke ua marrë tokat shqiptarëve e duke ua dhënë serbëve.
Në realitet, për këtë është shkruar tani bukur shumë, por se, pas lidhjes së marrëveshjes serbo-turke, disave nga shqiptarëve u jepej një pagesë simbolike, aq sa kur Bislim Krypimehi kishte “shitur” tokën prej shtatë hektarë tokë e tetë hektar mal për 600 banka gjithsej në v itin 1925, pikërisht para 100 vitesh, ndërsa vetëm atin e kishte shitur për 650 banka! Një krahasim që është përcjellur deri sot se sa lirë është blerë toka e shqitarëve, me një vlerë sa për të shkuar në Turqi përmes Shkupit.
Në tokën e Bislim Krypimehit kishte ardhur Bozhidari nga Leskovci. Ky kishte djalë Millun Angjelkoviq, i njohur në këto anë që kishte ardhur si gjashtë-vjeçar, i lindur më 1919 dhe ka punuar si ofiqar në Krypmeh deri në pension. Milluni kishte edhe një vëlla që ka qenë oficer në Shkup.
Bozihdari nuk thirrej me emër, por thirrej si shkau i Bislimit, pse e kishte marrë tokën prej tij. Kështu ka ndodhur edhe në raste tjera, kur thuhej shkau ynë, për serbin që kishte marrë tokën e asaj familjeje apo atij personi si kryetar i familjes, për dallim nga serbët tjerë.
Bozhidari, thuhet, se i shëronte njerëzit e zënë nga gjarpri me një lloj bari. Ai vetëm sa i prekte me atë bari në vendin ku kishte kafshuar gjarpri, shëroheshin. Nuk ka informata ta ketë marrë këtë lloj bari dikush tjetër për të vazhduar shërimin prej gjarprit.
Pas “shitjes” së tokës, Bislimi kishte shkuar në fshatin afër Krypimehit, në Dobërdol.
Kur më rastisi puna të vizitojë këtë vend kohën e fundit, vërejta kullën në shpat që po qëndronte ende si e fortë. Pyeta, por nuk ka informata më të hollësishme.
Tani asgjë tjetër nuk mbetet, vetëm të vrapojnë institucionet për trashëgiminë e objekteve dhe monumenteve historike që ta vënë nën mbrijtje si trashëgimi e të mos ndodh të rrëzohet sikur ajo në Zakutin e Epërm në vitin 2011, e cila qe rrëzuar nga vetë shqiptarët vetëm nja dy-tre muaj pasi pata shkruar për të.
Kjo kullë, sikur të gjitha të tjerat, ka murin me gur me një trashësi prej afro një metër. Dihet se, qëllimi i ngritjes së kullave ka qenë për siguri më të madhe nga pushteti i atëhershëm.