Ballina Kuriozitete “I ftohti më djeg dhe e nxehta më ngrin” – Si jeton...

“I ftohti më djeg dhe e nxehta më ngrin” – Si jeton një 22-vjeçar me një çrregullim të rrallë që habit edhe mjekët

25
0

Një i ri australian ka habitur mjekët me një çrregullim të rrallë neurologjik që e bën të përjetojë të ftohtin si zjarr dhe të nxehtin si akull. Aidan McManus, 22 vjeç nga shteti i Viktorias në Australi, po përballet me një gjendje që ka ndryshuar rrënjësisht jetën e tij të përditshme dhe mënyrën se si e ndjen botën përreth.

Sipas mediave ndërkombëtare, simptomat e Aidan nisën në moshën 17-vjeçare kur ai humbi ndjeshmërinë në këmbë dhe më pas ndjeu sikur duart e tij po digjeshin kur prekte diçka të ftohtë. “Një natë më tha: ‘Mami, sapo preka kanaçen Coca-Cola dhe ndjeva sikur po më digjeshin duart’”, kujton nëna e tij, Angela.

Mjekët kanë kryer qindra analiza dhe procedura, përfshirë edhe biopsi nervore, por për vite me radhë nuk arritën të japin një diagnozë të qartë. Më në fund, Aidan u diagnostikua me neuropati periferike aksonale – një formë e rrallë e dëmtimit të nervave që çon në përmbysje të sinjaleve ndijore që truri merr nga trupi.

Për shkak të këtij çrregullimi, ai nuk mund të gatuajë, nuk ndien në mënyrë të sigurt nëse diçka është e nxehtë apo e ftohtë dhe ka nevojë për ndihmë në detyrat më të thjeshta të përditshme.

Në një intervistë për 9News, nëna e tij thekson se çrregullimi është progresiv dhe nuk ka asnjë trajtim të njohur. Megjithatë, kërkesa e tij për ndihmë financiare nga Skema Kombëtare e Sigurimit të Aftësisë së Kufizuar në Australi (NDIS) është refuzuar, duke nxitur debat publik mbi mbështetjen ndaj të rinjve me sëmundje të rralla.