Një i burgosur shqiptar raportohet se ka marrë peng për disa çaste rojet e burgut famëkeq grek të Koridhallos.
Sipas televizionit grek ALPHA, shqiptari arriti të mbante dy roje, t’u merrte çelësat, radiot dhe telefonat, dhe filloi të lëvizte nga një krah në tjetrin për të arritur në Repartin C, ku po kërkonte bashkëkombësin e tij me qëllim vrasjen e tij.
Siç raportohet nga autoritetet, kjo është me shumë mundësi një porosi për vrasje me pagesë brenda burgut që nuk u ekzekutua për shkak të ndërhyrjes së autoriteteve të burgut.
Emrat e personave të përfshirë në këtë ngjarje nuk bëhen të ditur, por sipas medieve greke, autori është person i njohur në botën e mafias shqiptare, i dënuar për tentativë vrasje, ndërsa objektivi i tij është një tjetër shqiptar i dënuar për trafik narkotikësh, raporton Voxnews.al.
“Sipas burimeve të Alpha, ai gjendet shumë lart në shkallët e mafias shqiptare është, është i dënuar për tentativë vrasje. Ai me një thikë ka arritur t’i marrë çelsat dhe i ka mbyllur brenda një dhome dy rojet. Ka hapur një pas një portat e burgut dhe ka ecur për gati 150 metra. Aty kërkoi një të burgosur tjetër i cili është i dënuar për trafik narkotikësh. Ishte me fat ai tjetri që nuk ndodhej aty. Kjo ngjarje nuk arriti të kryhej, pasi ndërhynë autoritetet e burgut”, ka deklaruar gazetari grek.