Ballina Kulturë NeoFILMS prezanton Teaser-in për filmin e dytë të animuar të metrazhit të...

NeoFILMS prezanton Teaser-in për filmin e dytë të animuar të metrazhit të gjatë “Minibeast”

19
0

NeoFILMS, Shtepia Filmike e njohur për prodhimin e animacioneve të avancuara CGI, ka prezantuar teaser-in e parë për filmin e ardhshëm “Minibeast”, një projekt ambicioz me buxhet prej 10 milionë eurosh, që pritet të shfaqet së shpejti në skenën ndërkombëtare të filmit.

Dy projekte gjigande në zhvillim

Aktualisht, neoFILMS po punon në dy projekte të metrazhit të gjatë animacioni, “ZHAK” dhe “Minibeast”, të dyja të krijuara në teknologjinë më të fundit të animacionit full CGI. “ZHAK”, me një buxhet prej rreth 20 milionë euro, është në fazën përfundimtare dhe pritet të lançohet së shpejti. Ndërsa “Minibeast”, me një buxhet prej 10 milionë euro, është projektuar për të sjellë në ekran një botë të pasur me aventura, magji dhe mistere.

Të dy projektet do të prezantohen këtë vit në një nga ngjarjet më prestigjioze të industrisë filmike, Marketin e Festivalit të Filmit në Cannes, Francë, duke sinjalizuar përgatitjen për shfaqje në mbarë botën, me premiera në Los Angeles.

Sinopsisi i shkurtër për “Minibeast”

Kur prindërit e tij rrëmbehen nga krijesa të çuditshme nga një univers tjetër, Minibeast, një dhelpër e guximshme dhe aventuriere, duhet të ndjekë gjurmët e prindërve të tij përmes shtatë universesh të panjohura, secili më i çuditshëm dhe më sfidues se tjetri. Me ndihmën e një rrote magjike të ndërtuar dikur nga prindërit e tij. Minibeast përballet me krijesa të frikshme, sekrete të lashta dhe sfida të pabesueshme, ndërsa kërkon të zbulojë të vërtetën dhe të shpëtojë familjen e tij.

Krijuesit dhe vizioni i neoFILMS

Filmat “ZHAK” dhe “Minibeast” janë konceptuar dhe realizuar nga Dalip Gashi dhe Ilirjana Bejta, të dy bashkëskenaristë dhe bashkëregjisorë, të cilët kanë sjellë në jetë dy histori unike me potencial të jashtëzakonshëm për tregun ndërkombëtar.

Rreth neoFILMS

neoFILMS është një studio inovative me bazë në Prishtinë, e specializuar në krijimin e filmave të animuar full CGI dhe efekteve vizuale. Me një fokus të veçantë në teknologjinë më të fundit dhe tregjet ndërkombëtare, neoFILMS ka ngritur reputacionin e saj si një nga studiot më premtuese në industrinë e animacionit në Kosovë dhe më gjërë. Me projekte filmike të metrazhit të gjatë si “ZHAK” dhe “Minibeast”, studio synon të sjellë zërin dhe vizionin e krijuesve nga Kosova në skenën globale të filmit.