Ballina Editorial Arkend Balla dhe Sara Mila si autopsia e listave të hapura dhe...

Arkend Balla dhe Sara Mila si autopsia e listave të hapura dhe e demokracisë

246
0

Nga Klodian Tomorri 

Pak ditë para zgjedhjeve, në media u publikua një lajm se dy kandidatë në Durrës dhe Elbasan ishin nën vëzhgim nga SPAK, pasi dyshohej se mbështeteshin nga krimi. Lajmi bëhej fjalë për kandidatët Arken Balla dhe Sara Mila.

I pari doli deputeti më i votuar i Durrësit me mbi 18 mijë e 400 vota. E dyta doli deputetja më e votuar e Elbasanit, me mbi 18 mijë e 600 vota zyrtarisht. Madje ka zëra që thonë se Sara Mila mblodhi rreth 30 mijë vota, por më pas ia shpërndanë që të mos binte shumë erë puna.

Një nga figurat e larta të Partisë Socialiste më thoshte sot se, nëse Sarën e njohin më shumë se 1 për qind e atyre që e kanë votuar, kjo do të ishte mrekullia e tetë e botës. Nejse…

E gjitha kjo është një dëshmi e fortë se sa mirë e bëri punën SPAK-u për të mbajtur larg krimin nga zgjedhjet. E megjithatë, ky është halli më i vogël. Halli i vërtetë është se këto rezultate janë, në një farë mënyre, autopsia e listave të hapura dhe e demokracisë. Ky është problemi real.

Durrësi dhe Elbasani nuk janë shembujt e vetëm, por sinjalet e orientimit masiv të votës nga “të fortët” duken gjithandej nëpër Shqipëri.

Një pjesë e shoqërisë kërkon me të drejtë lista të hapura dhe demokraci të drejtpërdrejtë. Por ajo që ndodhi me votimin preferencial në këto zgjedhje e vë Shqipërinë përpara një rreziku tjetër madhor. Me lista të hapura, mafia dhe krimi mund ta marrin Parlamentin brenda dy legjislaturash.

Ndoshta do t’u duhen dy raunde zgjedhjesh për ta marrë dorën, por pas dy mandateve, grupi më i madh parlamentar i Kuvendit do të jetë koalicioni i krimit.

Ky është një problem madhor, sepse ngre një pikëpyetje të madhe: A mund të jetë demokracia e pajtueshme me një mjedis ku votohet masivisht me komandë?

Dikur, Berlusconi paralajmëroi udhëheqësit e Perëndimit që të mos e ngacmonin Gaddafin, se do të hapnin bela të mëdha, pasi, sipas tij, Libia ishte një popull i papajtueshëm me demokracinë. Koha i dha më shumë të drejtë Berlusconit se atyre që rrëzuan Gaddafin.

Por Libia nuk është halli ynë. Halli ynë është ky: A mund të mbijetoje demokracia tek një popull që mendon me komandë dhe voton me sy mbyllur? Ndoshta Enver Hoxha kishte nuhatur diçka…