Ballina Politika “Çyrykët” që i dhanë fitoren Ramës/ Meshkujt, mbështetësit kryesorë të PS më...

“Çyrykët” që i dhanë fitoren Ramës/ Meshkujt, mbështetësit kryesorë të PS më 11 maj

47
0

Në fjalimin e tij në Dibër, kryeministri Edi Rama përdori një shprehje që u cilësua si e pavend ndaj burrave që mbështesin ende Sali Berishën, duke i quajtur “cyrykë”. Kjo deklaratë u konsiderua nga shumë analistë si një gafë që mund t’i kushtonte vota në zgjedhjet e 11 majit, por të dhënat paraprake nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë një realitet tjetër: burrat ishin ata që vendosën fitoren e Partisë Socialiste në shumicën e qarqeve.

Në total, shqiptarët brenda territorit i dhanë Partisë Socialiste 733.460 vota, një diferencë prej më shumë se 250 mijë votash ndaj Aleancës për Shqipërinë Madhështore. Të dhënat tregojnë se nga rreth 1.462.000 votues, 675.166 ishin gra, ndërsa 786.887 ishin burra – një shumicë prej mbi 110 mijë meshkujsh, që në shumë qarqe bënë diferencën.

Deklarata e Ramës u bë në Dibër, por ky qark rezultoi në favor të PS-së, duke përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të katër viteve më parë. Nga 59.947 votues të numëruar, 32.041 ishin burra dhe 27.906 gra – një shumicë meshkujsh që përforcoi rezultatin pozitiv për socialistët.

Në Fier, një tjetër bastion që rikuperoi tre mandate për PS-në, 84.316 nga 160.076 votues ishin burra, kundrejt 75.760 grave.

Vlorë: 52.533 burra, 41.064 gra nga 93.597 votues.

Elbasan: 72.514 burra, 65.414 gra nga 137.928 votues.

Korçë dhe qarqe të tjera raportuan gjithashtu një dominim të votës mashkullore.

Në qarkun Shkodër, ndonëse PS humbi një mandat, ajo rikuperoi krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Nga 95.924 votues të numëruar, 50.913 ishin burra dhe 45.011 gra – sërish një shumicë meshkujsh.